Botë

Zelensky akuzon Rusinë se nuk po i merr seriozisht bisedimet e paqes, zotohet të dërgojë delegacion

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar se një takim ndërmjet delegacionit të Ukrainës, Rusisë, SHBA-së dhe Turqisë ka për të ndodhur, raporton BBC.

Zelensky e ka akuzuar përsëri Rusinë se nuk po e trajton procesin negociator me seriozitet.

Ai ka vazhduar më tutje duke thënë se propozimi i bërë nga presidenti amerikan, Donald Trump, ishte që liderët të takoheshin, mirëpo sipas tij, Rusia ka dërguar vetëm një “delegacion të nivelit të ulët” në bisedime.

“Rusia s’është aspak serioze për bisedime të mirëfillta”, ka deklaruar Zelensky.

Sipas tij, nëse Moska zyrtare nuk tregon asnjë gatishmëri për t’u angazhuar në bisedime, atëherë vendet e tjera duhet të ushtrojnë më shumë presion politik dhe ekonomik ndaj Rusisë dhe të vendosin sanksione të mëtejshme.

“Rusia nuk ndien se ka nevojë ta përfundojë [luftën], që do të thotë se nuk ka mjaftueshëm presion politik, ekonomik dhe të llojeve të tjera mbi Federatën Ruse”, ka thënë ai.

“Dhe prandaj ne kërkojmë, nëse nuk ka armëpushim, nëse nuk ka vendime serioze… ne kërkojmë sanksione të përshtatshme”, ka shtuar ai.

Pavarësisht kësaj, presidenti ukrainas ka bërë të ditur se do të dërgojë një delegacion të kryesuar nga ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov, në Stamboll për t’u takuar me delegacionin rus.

Ai ka deklaruar se do ta dërgojë ministrin e Mbrojtjes në “shenjë respekti për Trumpin dhe Erdoganin”.

 


Zelensky: Erdogan njeh Krimenë si pjesë të Ukrainës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka falënderuar presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për mbështetjen, duke u shprehur se homologu turk e mbështet Ukrainën dhe e njeh Krimenë si pjesë të saj.

Zelensky ka shkruar në rrjetin social X se Erdogan e mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.

“Dua të falënderoj sinqerisht presidentin Erdogan, ekipin e tij dhe popullin e Turqisë për mbështetjen e tyre ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës. Presidenti Erdogan riafirmoi gjatë takimit tonë sot se ai mbështet Ukrainën dhe e njeh Krimenë si pjesë të Ukrainës”, ka thënë Zelensky.

 

Lexo përditësimet tjera
Donald Trump, Volodymyr Zelensky, Vladimir Putin

LIVE: Diskutimet e para direkte Rusi-Ukrainë pas tri vjetësh luftë