Botë

Xi Jinping do të qëndrojë në Moskë nga 7-10 maj

Xi Jinping dhe Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Presidenti kinez, Xi Jinping, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Rusi nga 7-10 maj, ku do të marrë pjesë në festimet e 80-vjetorit të humbjes së Gjermanisë naziste, ka njoftuar Kremlini të dielën.

Në një deklaratë në Telegram, Kremlini ka thënë se Xi do të diskutojë me presidentin rus, Vladimir Putin zhvillimin e partneritetit strategjik të dy vendeve, si dhe do të bëjë nënshkrimin e një sërë dokumentesh, raporton Reuters.

“Gjatë bisedimeve do të diskutohen çështjet kryesore të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të partneritetit gjithëpërfshirës dhe ndërveprimit strategjik, si dhe çështjet aktuale në agjendën ndërkombëtare dhe rajonale”, ka njoftuar Kremlini.

Bashkimi Sovjetik ka humbur 27 milionë njerëz në Luftën e Dytë Botërore, por i shtyu forcat naziste në Berlin, ku Hitleri kreu vetëvrasje dhe flamuri i kuq i Fitores Sovjetike u ngrit mbi Reichstag në vitin 1945.

Në festime priten edhe disa liderë të tjerë kombëtarë, përfshirë presidentët e Brazilit dhe Serbisë, si dhe kryeministri i Sllovakisë.

Putini ka propozuar një armëpushim treditor me Ukrainën rreth festës së 9 majit, një nga më të rëndësishmet në kalendarin rus.

Duke iu përgjigjur ofertës së Moskës për armëpushimin treditor, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ai ishte gati për sa kohë që armëpushimi do të ishte 30 ditë, diçka që Putini e ka përjashtuar, duke thënë se ai dëshiron një zgjidhje afatgjatë dhe jo një pauzë të shkurtër.

Zelensky ka thënë se Ukraina, duke pasur parasysh luftën e vazhdueshme me Rusinë, nuk mund të garantojë sigurinë e ndonjë personaliteti të huaj që vjen në Moskë për paradën tradicionale të fitores së 9 majit.