Botë

Vriten shtatë pjesëtarë të organizatës bamirëse në Gaza

Palestina dhe Izraeli

Organizata bamirëse amerikane, World Central Kitchen, ka njoftuar se të paktën shtatë anëtarë të saj janë vrarë në Gaza nga sulmi i Izraelit, raportoi TheGuardian.

Organizata njoftoi se anëtarët e saj ishin nga Australia, Polonia, Britania e Madhe, një person me dy shtetësi, një nga Kanadaja dhe një nga Palestina.

Kreu i WCK-së, Erin Gore, ka thënë se ky s'është sulm vetëm ndaj organizatës, “por edhe ndaj organizatave humanitare që shfaqen në situatat më të rënda ku ushqimi përdoret si armë lufte”.

Forcat e Izraelit kanë thënë se po e shqyrtojnë rastin.

Kryeministri australian kërkon përgjegjësi për sulmin në Gaza  

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, e ka përshkruar vdekjen e një punonjësi australian, anëtar i organizatës bamirëse amerikane “World Central Kitchen” si tragjedi që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë.

44-vjeçari, Zomi Frankcom nga Melburni ishte një nga 7 punonjësit ndërkombëtarë të organizatës bamirëse “World Central Kitchen” që u vranë të hënën në Gaza nga një sulm izraelit, raporton AP.

Duke folur për mediat lokale nga Redbank të martën, Albanese ka thënë se australianët duan ta shohin fundin e luftës sa më shpejt.

“Australianët duan të shohin një zgjidhje paqësore, afatgjatë, politike, që do të thotë drejtësi për palestinezët dhe një shtet palestinez, si dhe të drejtën e Izraelit për të ekzistuar brenda kufijve të sigurt”, ka deklaruar kryeministri australian.

Ai ka njoftuar se Departamenti i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë ka kërkuar të bisedojë me ambasadorin izraelit në Australi.

“Ne duam përgjegjësi të plotë për këtë sepse kjo është një tragjedi që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë”, ka shtuar Albanese.

LEXO EDHE: