Lufta në Gaza

Vriten katër palestinezë nga një sulm izraelit në Rafah

Gaza

Gaza

Foto: Associated Press

Të paktën katër palestinezë janë vrarë në një sulm ajror që Izraeli ka kryer në qytetin Rafah të Gazës, natën e së martës.

Trupat e të vdekurve janë dërguar në spitalin Abu Youssef al-Najjar,  raportoi AP.

Shpërthimi ka rrafshuar një ndërtesë banimi në Rafah, derisa banorët kanë thënë se më shumë se dhjetë persona kanë mbetur nën rrënoja.

Mëngjesin e së mërkurës, dhjetëra palestinezë ishin mbledhur për të bërë kërkime.

Sulmi vjen në kohën kur Izraeli po kërcënon vazhdimisht për ofensivë tokësore në Rafah, zona ku shumica e palestinezëve të Gazës janë zhvendosur. 

Lufta e Hamas-Izrael ka nisur më 7 tetor, kur militantët e Gazës sulmuar Izraelin jugor duke lënë të vdekur 1,200 persona dhe duke marrë pengje 250 të tjerë.

Izraeli i është përgjigjur, duke nisur sulmet në Gaza, të cilat deri tani kanë lënë të vdekur më shumë se 32 mijë njerëz. 

Sulmi i të martës në Rafah po shihet me shqetësim si një fillim i ofensivës izraelite mbi këtë qytet.