Izraeli ka bombarduar veriun e Gazës gjatë të hënës në mbrëmje, duke shkaktuar panik te banorët dhe duke rrafshuar lagjet në një zonë nga e cila ushtria izraelite kishte tërhequr trupat e saj, raporton Reuters.
Inkursioni i ushtrisë izraelite është zhvilluar në Beit Hanoun, në skajin verior të Rripit të Gazës.
Granatimet ishin intensive në lindje të Beit Hanounit dhe Jabalia dhe vazhduan edhe mëngjesin e së martës në zonën e Zeitounit, një nga periferitë më të vjetra të qytetit të Gazës, me banorët që raportuan të paktën 10 sulme në pak sekonda përgjatë rrugës kryesore.
Në perëndim të Beit Hanounit në Beit Lahiya, mjekët dhe mediat kanë raportuar se ushtria izraelite kishte sulmuar edhe një xhami si dhe turma njerëzish të cilët ishin mbledhur për të marrë ndihmat e hedhura nga ajri.
Granatimet dhe bombardimet e reja të Gazës veriore vijnë pothuajse katër muaj pasi ushtria izraelite njoftoi se po tërhiqte trupat e saj atje, duke thënë se Hamasi nuk i kontrollonte më ato zona.
Këtë muaj, Izraeli gjithashtu tërhoqi shumicën e forcave të tij në Gazën jugore. Por përpjekjet për të arritur një armëpushim kanë dështuar dhe bombardimet e sulmet izraelite në territorin ku trupat e tij janë tërhequr po e bëjnë të vështirë kthimin e banorëve të Gazës në shtëpitë e tyre.
Izraeli ka sulmuar gjithashtu jugun e Khan Younisit të martën, një ditë pas sulmit izraelit të zonave lindore të qytetit.
Banorët raportuan gjithashtu bombardime në lindje të Deir Al-Balahut të martën në një zonë qendrore që ndan veriun nga jugu.
Në Spitalin Nasser, institucioni kryesor shëndetësor i Gazës jugore, autoritetet gjetën edhe 35 trupa të tjerë nga ajo që ata thonë se është një nga të paktën tre varrezat masive të gjetura në vend, duke e çuar totalin e trupave të gjetur atje në 310 brenda një jave.
Izraeli thotë se ishte i detyruar të sulmonte spitalet për shkak se luftëtarët e Hamasit operonin atje, gjë që stafi mjekësor dhe Hamasi e mohojnë.
Në të gjithë Rripin e Gazës, në 24 orët e fundit, si pasojë e sulmeve ushtarake të Izraelit janë vrarë 32 palestinezë dhe janë plagosur 59 të tjerë.