Botë

Ushtria e Pakistanit pretendon se ka rrëzuar 12 dronë të lëshuar nga India

Pakistan

Foto: Associated Press

Autoritetet e Pakistanit kanë njoftuar të enjten se kanë rrëzuar 12 dronë të lëshuar nga India që kanë shkelur hapësirën ajrore të vendit, një ditë pasi sulmet e Indisë në disa shënjestra përhapën frikën e një konflikti më të gjerë ushtarak mes dy fuqive nukleare.

India ka dërguar dronë izraelitë Harop në shumë lokacione, përfshirë në dy qytetet e mëdha Karachin dhe Lahoren, ka bërë të ditur zëdhënësi i ushtrisë pakistaneze, Ahmed Sharif Chaudhry.

“Dronët indianë vazhdojnë të dërgohen në hapësirën ajrore të Pakistanit…India do të vazhdojë të paguajë shtrenjtë për këtë agresion të pastër”, ka thënë ai.

Ministria e Mbrojtjes së Indisë nuk i është përgjigjur ende kërkesës për komente rreth rastit, ka raportuar Reuters.

India sulmoi atë që e quajti “infrastrukturë terroriste” të Pakistanit në orët e hershme të së mërkurës, dy javë pasi e kishte akuzuar vendin islamik për përfshirje në sulmin i cili la të vdekur 26 persona në Kashmirin e kontrolluar nga India.

Islamabadi zyrtar ka mohuar akuzat dhe është zotuar se do t’u hakmerret sulmeve raketore, teksa ka shtuar po ashtu se ka rrëzuar pesë avionë indianë.