Botë

Ukraina u kërkon aleatëve perëndimorë t’i ndajnë 0.25% të GDP-së për ta shtuar prodhimin e armëve

Volodymyr Zelensky

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje vendeve perëndimore të ndajnë nga 0.25 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për ta ndihmuar shtetin e tij në rritjen e prodhimit të armëve.

Ai njoftoi, po ashtu, se Ukraina planifikon që gjatë verës të nënshkruajë marrëveshje për ta nisur eksportimin e teknologjive të prodhimit të armëve. 

Zelensky bëri të ditur se shteti i tij është në bisedime me Danimarkën, Norvegjinë, Gjermaninë, Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar dhe me Lituaninë për të nisur prodhim të përbashkët të armëve.

Thirrja e Zelenskyt u adresua pasi Ukraina u përball me sulme të rënda ruse gjatë kësaj jave. 

Si pasojë e tyre, në kryeqytetin Kiev, që në fillim të javës është raportuar për 16 të vdekur e 55 të lënduar. Sulme pati edhe në rajone të tjera ukrainase, si Odesa, Zaporizhzhia e Mykolaiv.