Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ukraina kritikon presidentin pro-rus të Bullgarisë

Ukraina kritikoi të shtunën presidentin pro-rus të Bullgarisë lidhur me komentet e tij se Kievi është fajtor për luftën e vazhdueshme të Rusisë dhe se furnizimi me armë i Ukrainës vetëm e zgjat konfliktin.

Presidenti bullgar, Rumen Radev, u kishte thënë gazetarëve të premten, gjatë një konference për shtyp në të cilën ai foli për samitin e fundit të NATO-s, se donte “ta bënte të qartë se është Ukraina ajo që këmbëngul për të vazhduar këtë luftë”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Por duhet të jetë gjithashtu e qartë se fatura paguhet nga e gjithë Evropa”, shtoi ai.

Vërejtjet e liderit pro-rus janë pjesë e përpjekjeve të tij të vazhdueshme për ta mbajtur Bullgarinë jashtë mbështetjes së përbashkët ushtarake të BE-së për Ukrainën.

Ambasada e Ukrainës në Sofje në një deklaratë, të shtunën, tha se Kievi po bënte të gjitha përpjekjet e mundshme për të rivendosur paqen dhe hodhi poshtë qëndrimin e Radevit se furnizimi me armë për Ukrainën nxit dhe zgjat luftën.

Gjatë krizës politike që kishte kapluar Bullgarinë, anëtare e BE-së dhe NATO-s, në dy vjetët e fundit, Radev ka përdorur kompetencat e tij për të emëruar qeveritë e përkohshme që ndanin të njëjtin mendim me presidentin për mosfurnizimin me armë të Kievit. Megjithatë, përpjekjet e tij kanë dështuar që kur u formua qeveria e re bullgare pro-perëndimore në qershor.

Të premten, kryeministri bullgar, Nikolai Denkov, kundërshtoi ashpër pozicionin e Radevit dhe fajësoi presidentin rus, Vladimir Putin dhe administratën e tij për pushtimin rus të Ukrainës.

“Përkundrazi, ai që insiston për të vazhduar këtë luftë është rrethi rreth Putinit. Ata e filluan këtë luftë”, tha Denkov.

“E them përsëri: mënyra më e shpejtë për të ndaluar këtë luftë është që i njëjti rreth të bëjë thirrje që trupat e tyre të tërhiqen”, shtoi kryeministri bullgar.