Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka lëshuar një paralajmërim se Evropa është duke hyrë në një “epokë të paraluftës”, dhe se nëse Ukraina mundet nga Rusia, askush në Evropë nuk do të mund të ndihet i sigurt.
“Nuk dua ta frikësoj askënd, por lufta nuk është më një koncept i së kaluarës. Është real dhe ka nisur dy vjet më parë. E di që tingëllon shkatërruese, veçanërisht për njerëzit e gjeneratës së re, por duhet të mësohemi mendërisht me ardhjen e një epoke të re. Epokës së para-luftës", ka thënë Tusk për mediat evropiane, raportoi BBC.
Deklarata e tij vjen ndërsa një breshëri e re raketash ruse kanë shënjestruar Ukrainën.
Rusia i ka intensifikuar bombardimet në Ukrainë në javët e fundit. Forcat ajrore ukrainase kanë deklaruar se kanë qëlluar 58 dronë dhe 26 raketa, derisa kryeministri, Denys Shmyhal, ka deklaruar se infrastruktura energjetike është shkatërruar në gjashtë rajone, në perëndim, qendër dhe lindje të shtetit.
Tusk, një ish-president i Këshillit Evropian, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, tashmë e ka fajësuar Ukrainën për sulmin terrorist që ndodhi javën e kaluar në Moskë, në sallën e koncerteve “Crocus City”, pa ndonjë evidencë. Sipas tij, po shihet qartë që Rusia “po e ndjen nevojë ta justifikojë rritjen e dhunës mbi civilët ukrainas”.
Ai ka potencuar se Rusia e ka sulmuar Kievin me raketa hipersonike gjatë ditës, për herë të parë, në fillim të kësaj jave.
Tusku e ka shfrytëzuar intervistën e tij të parë që kur kishte marrë postin e tij si kryeministër i Polonisë vitin e kaluar, për t’i bërë apel liderëve të Evropës që të bëjnë më shumë për ta forcuar mbrojtjen.
LEXO EDHE: