Botë

Turqia nis të kërkojë dëshmi nëpër porte se anijet s’kanë të bëjnë me Izraelin

Turqia

Foto: Associated Press

Autoritetet portuale turke kanë filluar të kërkojnë në mënyrë jozyrtare nga agjentët e transportit detar letra që deklarojnë se anijet nuk janë të lidhura me Izraelin dhe nuk transportojnë ngarkesa ushtarake ose të rrezikshme me destinacion këtë vendin, sipas dy burimeve të transportit detar.

Burimet kanë thënë për Reuters se zyra e kapitenit të portit kishte udhëzuar verbalisht agjentët e portit që të siguronin garancione me shkrim, duke shtuar se nuk kishte asnjë qarkore zyrtare për këtë çështje.

Një nga burimet ka thënë se udhëzimi zbatohet për portet në të gjithë Turqinë.

Në letrat e garancisë duhet të deklarohet se pronarët, menaxherët dhe operatorët e anijeve nuk kanë lidhje me Izraelin dhe se lloje të caktuara ngarkesash, duke përfshirë eksplozivë dhe materiale radioaktive ose pajisje ushtarake, nuk janë në bord gjatë rrugës për në Izrael, ka thënë burimi i dytë.

Vitin e kaluar, Turqia ndërpreu tregtinë me Izraelin me vlerë 7 miliardë dollarë në vit, për shkak të luftës së saj në Rripin e Gazës me grupin militant palestinez Hamas.