Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka përjashtuar të martën vendosjen e trupave amerikane në tokë në Ukrainë, por ka shtuar se Shtetet e Bashkuara mund të ofrojnë mbështetje ajrore si pjesë e një marrëveshjeje për t'i dhënë fund luftës së Rusisë në vend.
Një ditë pasi Trumpi premtoi garanci sigurie për të ndihmuar në përfundimin e luftës në një samit të jashtëzakonshëm në Shtëpinë e Bardhë, rruga drejt paqes mbeti e pasigurt teksa SHBA-ja dhe aleatët u përgatitën të përcaktonin se çfarë mund të përfshinte mbështetja ushtarake për Ukrainën.
"Kur bëhet fjalë për sigurinë, evropianët janë të gatshëm të dërgojnë njerëz në tokë. Ne jemi të gatshëm t'i ndihmojmë ata me gjëra, veçanërisht, ndoshta ... nga ajri”, ka thënë Trumpi në një intervistë për programin "Fox & Friends" të Fox News.
Disa orë pas takimeve të Zelenskyt në Uashington, Rusia ka nisur sulmin e saj më të madh ajror në më shumë se një muaj në Ukrainë, me 270 dronë dhe 10 raketa të lëshuara, ka njoftuar forca ajrore ukrainase, raporton Reuters.
Ministria e Energjisë ka thënë se sulmet shkaktuan zjarre të mëdha në objektet e energjisë në rajonin qendror të Poltavas, ku ndodhet rafineria e vetme e naftës në Ukrainë.
Trumpi e ka pranuar se presidenti rus, Vladimir Putin mund të mos dëshirojë të bëjë një marrëveshje në fund të fundit, duke thënë: "Do ta mësojmë për presidentin Putin në dy javët e ardhshme".
Natyra e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën sipas një marrëveshjeje paqeje ishte e paqartë.
Mbështetja ajrore mund të marrë shumë forma, të tilla si sisteme mbrojtëse nga raketat ose avionë luftarakë që kontrollojnë një zonë ndalim-fluturimi.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka konfirmuar se mbështetja ajrore amerikane ishte "një opsion dhe një mundësi", por, ashtu si Trumpi, as ajo nuk ka dhënë asnjë detaj.
"Presidenti ka deklaruar përfundimisht se çizmet amerikane nuk do të jenë në terren në Ukrainë, por ne sigurisht që mund të ndihmojmë në koordinim dhe ndoshta të ofrojmë mjete të tjera garancish sigurie për aleatët tanë evropianë", ka thënë ajo në një konferencë për shtyp.
Para samitit të së hënës në Uashington, Rusia, e cila shpesh ka thënë se është dakord me idenë e garancive të sigurisë për Kievin, përsëriti qëndrimin e saj të hershëm se "kategorikisht" refuzon "çdo skenar që përfshin vendosjen e trupave të NATO-s në Ukrainë".
Analistët thonë se më shumë se 1 milion njerëz janë vrarë ose plagosur në konflikt, i cili filloi me pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
