Kandidati republikan presidencal i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, përgëzoi presidentin rus Vladimir Putin për marrëveshjen historike të shkëmbimit të të burgosurve të arritur javën e kaluar me Perëndimin, duke sugjeruar se lideri rus përfitoi më shumë nga marrëveshja.
“Dëshiroj të përgëzoj Vladimir Putinin që ka bërë një tjetër marrëveshje të madhe. E patë marrëveshjen që bëmë (Amerika)?”, ka thënë Trumo para mbështetësve në fushatë në Atlanta të shtunën, ndërsa kritikoi administratën Biden.
Ish-presidenti i SHBA-së, i cili po konkurron për mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë mes një sërë çështjesh gjyqësore kundër tij, ka thënë se shkëmbimi i të burgosurve çoi në lirimin e “disa prej vrasësve më të mëdhenj” në botë.
“Ne i kthyem njerëzit tanë... por bëjmë disa marrëveshje të tmerrshme, të tmerrshme. Është mirë të thuash se i kemi kthyer, por a përbën kjo precedent të keq?”, ka thënë Trump.
Në shkëmbimin më të madh të të burgosurve që nga fundi i Luftës së Ftohtë, Rusia liroi të enjten 16 të burgosur – duke përfshirë reporterin e “Wall Street Journal”, Evan Gershkovich, shtetas gjermanë dhe disidentë rusë. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe zëvendëspresidentja e kandidatja e pritur demokrate për presidente, Kamala Harris, përshëndetën amerikanët e liruar gjatë kthimi në atdhe të enjten vonë, teksa Bideni e trumbetoi si “zgjidhje diplomatike”.
Në këmbim, tetë rusë që ishin burgosur në pesë vende u liruan – përfshirë Vadim Krasikov, kolonel nga shërbimi sekret rus, i cili u burgos përjetësisht në Gjermani për vrasjen e një disidenti çeçen në Berlin në vitin 2019.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, pranoi se marrëveshja është “shumë, shumë” e diskutueshme.
Në fjalimin në fushatë të shtunën, Trumpi la të kuptohej gjithashtu se marrëveshja e të burgosurve përfshinte edhe pagesa për Rusinë, duke thënë se kur ishte president kishte siguruar lirimin e “59 pengjeve” dhe “asnjëherë nuk kam paguar asgjë”.
Jake Sullivan, këshilltari për sigurinë kombëtare nën administratën Biden, ka konfirmuar se nuk janë dhënë para për marrëveshjen e shkëmbimit të të burgosurve.