Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk e ka ndërmend ta nënshkruajë një deklaratë të përbashkët që bën thirrje për deeskalim të situatës mes Izraelit dhe Iranit. Kjo deklaratë është hartuar nga udhëheqësit e G7 në Kanada, ka raportuar CNN, ndonëse u tha se zyrtarët e shteteve shpresuan se Trump do ta nënshkruante.
Draft-deklarata, që është përkrahur nga zyrtarët evropianë në Samit, thotë se “Izraeli ka të drejtë të mbrohet dhe se Irani nuk mund të pajiset me armë bërthamore”.
Vendimi i Trumpit për të mos e nënshkruar deklaratën krijoi përçarje të menjëhershme me homologët e tij.
Zyrtarët evropianë, të udhëhequr nga presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri britanik, Keir Starmer, shpresonin të arrinin një konsensus mes udhëheqësve mbi situatën aktuale në Lindje të Mesme, së bashku me organizatorin e samitit, kryeministri kanadez, Mark Carney.
