Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë të dielën se Kuba duhet të arrijë një marrëveshje me Uashingtonin, duke paralajmëruar se përndryshe kombi ishullor nuk do të marrë më naftë ose para nga Venezuela.
Venezuela është furnizuesi më i madh i naftës në Kubë, por që nga kapja e presidentit venezuelas, Nicolas Maduro, nga forcat amerikane, Trumpi ka arritur të ushtrojë presion mbi presidenten e përkohshme Delcy Rodriguez që të dërgojë naftë venezuelase në Shtetet e Bashkuara.
“Nuk do të ketë më naftë apo para që shkojnë në Kubë – Zero. Unë sugjeroj fuqishëm që ata të bëjnë një marrëveshje, para se të jetë shumë vonë”, ka shkruar Trumpi në platformën e tij “Truth Social” të dielën.
"Kuba jetoi, për shumë vite, me sasi të mëdha nafte dhe para nga Venezuela", ka thënë Trumpi.
Inteligjenca amerikane ka pikturuar një pamje të zymtë të situatës ekonomike dhe politike të Kubës, por vlerësimet e saj nuk ofrojnë mbështetje të qartë për parashikimin e Trump se ishulli është "gati të bjerë", ka raportuar Reuters të shtunën, duke cituar tre persona të njohur me vlerësimet konfidenciale.
Pikëpamja e CIA-s është se sektorët kryesorë të ekonomisë kubaneze, siç janë bujqësia dhe turizmi, janë të tendosur rëndë nga ndërprerjet e shpeshta të energjisë, sanksionet tregtare dhe probleme të tjera.
Humbja e mundshme e importeve të naftës dhe mbështetjes tjetër nga Venezuela, për dekada një aleate kyç, mund ta bëjë qeverisjen më të vështirë për administratën që ka sunduar Kubën që kur Fidel Castro udhëhoqi një revolucion në vitin 1959.
Për Kubën, humbja e naftës venezueliane është shkatërruese. Midis janarit dhe nëntorit të vitit të kaluar, Venezuela ka dërguar mesatarisht 27,000 fuçi në ditë në ishull, duke mbuluar afërsisht 50% të deficitit të naftës së Kubës, sipas të dhënave të transportit dhe dokumenteve nga kompania shtetërore e naftës venezueliane PDVSA.