Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbërritur të martën në Arabinë Saudite për të nisur një turne katër-ditor në rajonin e Gjirit, duke u fokusuar në marrëveshjet ekonomike dhe jo në krizat e sigurisë, që variojnë nga lufta në Gaza deri te kërcënimi i përshkallëzimit mbi programin bërthamor të Iranit.
Shefi ekzekutiv i Teslas, njëkohësisht këshilltari i Trumpit, Elon Musk, si dhe liderë të tjerë të kompanive të fuqishme amerikane po shoqërojnë presidentin në këtë udhëtim.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth janë gjithashtu pjesë e delegacionit.
Trumpi do të vizitojë fillimisht Riadin, vendin e Forumit të Investimeve Saudite-SHBA, ndërkaq të mërkurën do të shkojë në Katar dhe të enjten në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Gjatë ndalesës në Riad, Trump pritet t'i ofrojë Arabisë Saudite një paketë armësh me vlerë mbi 100 miliardë dollarësh, kanë thënë burimet për Reuters, e cila mund të përfshijë një sërë armësh të avancuara, përfshirë aeroplanët e transportit C-130.
