Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të hënën se do ta ndëshkojë Rusinë me tarifa, nëse nuk arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë brenda 50 ditëve.
Trump e bëri këtë njoftim gjatë takimit në Zyrën Ovale me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Sipas tij, tarifat do të jenë dytësore, që nënkupton se synohen Moska dhe partnerët tregtarë të saj, në përpjekje për ta izoluar atë nga ekonomia globale.
“Jemi shumë të palumtur me Rusinë, dhe do të vendosim tarifa shumë të rënda, nëse nuk kemi marrëveshje për 50 ditë, dhe ne i quajmë këto tarifa dytësore, ju e dini shumë mirë se çfarë do të thotë kjo”, është shprehur Trump.
Po ashtu, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka konfirmuar se ka rënë dakord për të dërguar armë në Ukrainë, teksa është krenuar me faktin se, sipas tij, SHBA-ja i prodhon pajisjet ushtarake më të mira në botë.
Këto pajisje do të blihen nga vendet anëtare të NATO-s dhe më pas ato do t’ia dërgojnë si ndihmë ushtarake Ukrainës.
E Rutte e ka përshkruar marrëveshjen e dakorduar me SHBA-në për dërgesat e armatimit si diçka të madhe. Krahas kësaj, e ka kualifikuar si të logjikshëm vendimin që vendet evropiane të paguajnë për këto pajisje.
“Kjo është me të vërtetë e madhe, ju më telefonuat të enjten dhe më treguat se keni marrë vendim, dhe vendimi është që ju dëshironi që Ukraina të jetë e aftë ta mbrojë veten nga Rusia, porse doni që evropianët të paguajnë, që ishte diçka totalisht e logjikshme”, ka deklaruar Rutte.
Po të hënën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është takuar në Kiev me të dërguarin e posaçëm amerikan, Keith Kellogg, ku është diskutuar për mbrojtjen ajrore, prodhimin e përbashkët të armëve, si dhe për sanksionet ndaj Rusisë.