Gjykatësi në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump, për “paratë e heshtura”, e gjobiti atë me 9000 dollarë të martën. Gjoba i është shqiptuar për postimet në internet, pasi gjykatësi gjeti se ato shkelnin një urdhër të ndalimit të komentimit të dëshmitarëve në këtë rast.
Vendimi i gjyqtarit Juan Merchanit erdhi ndërsa gjyqi në New York rifilloi me dëshminë e një bankieri të njohur me llogaritë e përfshira në skemën e pretenduar të Trumpit, për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016, duke e mbuluar këtë me një skandal seksual, raportoi Reuters.
Gjoba ishte pak më pak se dënimi prej 10,000 dollarësh që prokurorët kishin kërkuar për 10 postime që ofendonin dëshmitarët e mundshëm dhe vinin në dyshim paanshmërinë e jurisë.
Merchan do të shqyrtojë nëse do të vendosë gjoba të tjera për deklarata të tjera në një seancë dëgjimore të enjten.
Merchan gjithashtu urdhëroi Trumpin që të hiqte deklaratat nga llogaria e tij në Truth Social dhe uebfaqja e tij e fushatës.
Trumpi mund të përballet potencialisht me burgim për shkeljen e urdhrit, me të cilin Merchan vendosi që ta parandalonte atë të kritikonte dëshmitarët dhe të tjerët të përfshirë në këtë rast.
Kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, po përballet me akuzat për falsifikim të të dhënave të biznesit për të fshehur një pagesë prej 130,000 dollarësh për aktoren e filmave për të rritur, Stormy Daniels.
Trumpi është deklaruar i pafajshëm dhe e ka mohuar të ketë pasur lidhje me Daniels.
Gjyqi historik kriminal është i pari për një ish-presidenti amerikan, dhe ka filluar më 22 prill.
Vazhdon dhënien e dëshmisë dëshmitari i tretë në gjyqin ndaj Trumpit
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i është rikthyer gjyqit në New York, në javën e dytë të dhënies së dëshmive nga dëshmitarët.
Të martën, do të vazhdojë dëshminë, dëshmitari i tretë Gary Farro, zyrtar i lartë në bankë, i cili do të flasë mbi transaksionin prej 130 mijë dollarësh për të paguar aktoren e filmave për të rritur, Stormy Daniels.
Dëshmitari Farro ka filluar dhënien e dëshmisë të premten e javës së kaluar, raporton BBC.
Më parë kanë dëshmuar edhe David Pecker, ish-botues i “National Enquirer”, i cili ka treguar se si kishte punuar së bashku me avokatin e Trumpit për t’i bllokuar storiet negative për Trumpin gjatë fushatës së tij presidenciale të vitit 2016, si dhe Rhona Graff, ish-asistentja e Trumpit, e cila ka thënë se e ka parë Daniels në zonën e pritjes së mysafirëve në Trump Tower.
Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhattanit pretendon se Trumpi e udhëzoi ish-avokatin e tij, Michael Cohen, që ta paguante aktoren e filmave për të rritur, Stormy Daniels, me 130 mijë dollarë në këmbim të heshtjes në lidhje me marrëdhëniet e dyshuara seksuale mes saj dhe ish-presidentit.
Trump është deklaruar i pafajshëm për 34 akuzat që rëndojnë mbi të për falsifikimin e të dhënave të biznesit dhe gjithashtu mohon të ketë pasur marrëdhënie me Stormy Daniels.