Botë

Trumpi dështon të përmbysë një dënim prej 83 milionë dollarësh ndaj tij

Donald Trump

Foto: Associated Press

Një gjykatë federale Apeli ka refuzuar të hënën të rrëzojë një vendim jurie prej 83.3 milionë dollarësh kundër presidentit të SHBA-së, Donald Trump për dëmtimin e reputacionit të shkrimtares E. Jean Carroll në vitin 2019, kur ai mohoi pretendimin e saj për përdhunim.

Gjykata e Apelit e Qarkut të Dytë të SHBA-së në Manhattan hodhi poshtë argumentin e Trumpit se vendimi i janarit 2024 duhet të rrëzohet sepse ai meritonte imunitet presidencial nga padia e Carroll, raporton Reuters.

Gjykata më 13 qershor ka mbështetur vendimin e veçantë të jurisë prej 5 milionë dollarësh të Carroll kundër Trumpit të marrë në maj 2023 për një shpifje të ngjashme dhe për sulm seksual.

Carroll, 81 vjeç, një ish-kolumniste e revistës Elle, ka akuzuar Trumpin se e kishte sulmuar atë rreth vitit 1996 në një dhomë zhveshjeje në dyqanin Bergdorf Goodman.

Trumpi e ka mohuar për herë të parë pretendimin e saj në qershor 2019, duke i thënë një gazetari se Carroll "nuk ishte tipi im" dhe se ajo e kishte sajuar historinë për të shitur librin e saj "Për çfarë na duhen burrat?".

Presidenti amerikan i ka përsëritur komentet e tij në një postim në Truth Social në tetor 2022, duke çuar në vendimin prej 5 milionë dollarësh, megjithëse juria nuk ka arritur në përfundimin se Trumpi e kishte përdhunuar Carroll.

Dëmshpërblimi prej 83.3 milionë dollarësh përfshinte 18.3 milionë dollarë dëmshpërblim për dëmtim emocional dhe reputacional, dhe 65 milionë dollarë dëmshpërblim ndëshkues.

Në apelin e tij të fundit, Trumpi ka argumentuar se vendimi i Gjykatës Supreme të SHBA-së i korrikut 2024 që i jepte atij imunitet të konsiderueshëm penal e mbronte atë nga përgjegjësia në çështjen civile të Carroll.

Në qershor, Carroll ka publikuar një tjetër libër, "Jo Tipi Im: Një Grua kundër një presidenti", rreth betejave të saj ligjore kundër Trumpit.