Botë

Trump ushtron presion mbi shtetet e NATO-s për të ndaluar blerjen e naftës ruse

Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka dërguar një letër shteteve të NATO-s të shtunën, duke i bërë thirrje që të ndalojnë blerjen e naftës ruse dhe të vendosin sanksione të forta ndaj Rusisë për të ndaluar luftën në Ukrainë.

“Jam gati të vendos sanksione të mëdha ndaj Rusisë kur të gjitha shtetet e NATO-s të bien dakord dhe të fillojnë të bëjnë të njëjtën gjë, dhe kur të gjitha shtetet e NATO-s të ndalojnë blerjen e naftës nga Rusia”, ka shkruar ai në një postim në rrjetet sociale.

Trump ka propozuar që NATO të vendosë tarifa nga 50-100% ndaj Kinës, për ta dobësuar ndikimin ekonomik të saj mbi Rusinë, raporton Reuters.

Letra vjen pas kërcënimeve të mëparshme të Trumpit për sanksione ndaj Moskës dhe sanksione ndaj shteteve që blejnë naftë ruse, si Kina dhe India, nëse nuk ka progres në përfundimin e luftës në Ukrainë.

Presidenti ka vendosur një tarifë shtesë prej 25% për produktet indiane për shkak të vazhdimit të importit të naftës ruse nga India, por nuk ka marrë masa të ngjashme ndaj Kinës.