Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të martën se Irani “ishte shumë afër” që të kishte armë bërthamore.
“Mendoj se ata ishin shumë afër që të kishin një”, u ka thënë Trumpi gazetarëve në Air Force One, gjatë një udhëtimi për në Washington, raporton AP.
Ai ka akuzuar liderët iranian se nuk kanë gatishmëri për të arritur një marrëveshje për programin e tyre bërthamor, dhe ka sugjeruar se tani nuk ka shumë interes që të bisedojë me ta.
Deklarata e tij vjen pak pasi Trumpi, në një periudhë prej brenda tetë orësh të hënën, kaloi nga sugjerimi se një marrëveshje bërthamore me Iranin mbetej "e arritshme", në nxitjen e 9.5 milionë banorëve të Teheranit që të largoheshin për të shpëtuar jetën.
Ai ka ndërprerë vizitën e tij në samitin e G7-s që është mbajtur në Kanada të hënën për t'u kthyer në Uashington për bisedime urgjente me ekipin e tij të sigurisë kombëtare.
Ai pritej të mbërrinte në Shtëpinë e Bardhë të martën herët në një moment vendimtar në presidencën e tij.
Izraeli, me pesë ditë sulmesh me raketa, i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme Iranit dhe beson se tani mund t'i japë një goditje të përhershme programit bërthamor të Teheranit, veçanërisht nëse merr pak më shumë ndihmë nga Trumpi.
Por thellimi i përfshirjes amerikane, ndoshta duke u siguruar izraelitëve bomba që shkatërrojnë bunkerët për të depërtuar në vendet bërthamore iraniane të ndërtuara thellë nën tokë ose duke ofruar mbështetje tjetër të drejtpërdrejtë ushtarake amerikane, mund të jetë me rrezik të madh politik për Trumpin.
