Botë

Trump: Dua marrëveshje me Iranin për program bërthamor

Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në kuadër të Forumit të Investimeve në Riad të Arabisë Saudite, ka deklaruar se dëshiron marrëveshje me Iranin për program bërthamor, transmeton BBC.

Teksa kritikat e tij nuk munguan, pasi që edhe iu referua Iranit si forca më destruktive e rajonit, Trumpi ka shtuar se ai nuk është këtu “vetëm për të dënuar kaosin e mëparshëm të krijuar nga liderët e Iranit”, por t’i ofrojë atyre “një rrugë të re, dhe një rrugë shumë më të mirë” drejt “së ardhmes shpresuese”.

“Dua të arrijë marrëveshje me Iranin. Nëse mund të arrijmë marrëveshje me Iranin, atëherë do të isha shumë i lumtur”, ka thënë Trump.

Ai ka paralajmëruar lidershipin iranian se nëse ata refuzojnë marrëveshjen dhe “vazhdojnë t’i sulmojnë fqinjët e tyre, atëherë ne nuk kemi zgjidhje tjetër përpos që të ushtrojmë presion maksimal”, dhe t’i ulim eksportet e naftës së Iranit në zero.