Përditësim 17:33 - Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar të enjten se biseda telefonike me presidentin kinez, Xi Jinping, që zgjati rreth 90 minuta, e ka inkurajuar që tensionet e vazhdueshme tregtare mund të zgjidhen në të ardhmen e afërt, ka raportuar CNN.
Ai e ka cilësuar telefonatën si “shumë të mirë”, teksa ka shtuar se bisedimet tregtare do të zhvillohen “së shpejti” ndërmjet delegacioneve të vendeve përkatëse, si dhe bëri me dije se Xi e ka ftuar ta vizitojë Kinën.
“Gjatë bisedës, presidenti Xi me dashamirësi e ftoi Zonjën e Parë dhe mua që ta vizitojmë Kinën, dhe unë ia ktheva në të njëjtën mënyrë. Si presidentët e dy vendeve të madhërishme, kjo është diçka që të dy mezi presim ta bëjmë”, ka shkruar ai.
Trumpi ka thënë se telefonata u fokusua plotësisht në çështjet tregtare, pa folur rreth çështjeve të tjera gjeopolitike sikurse marrëveshja bërthamore me Iranin apo lufta Rusi-Ukrainë.
“Biseda ka rezultuar në përfundime shumë pozitive për të dyja vendet”, ka vazhduar ai.
Trump dhe Xi bisedojnë në telefon për luftën tregtare
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe presidenti kinez, Xi Jinping, kanë biseduar të enjten në telefon, me qëllim që t’i tejkalojnë dallimet mbi çështjen e tarifave që kanë tronditur të gjithë ekonominë botërore, ka njoftuar Ambasada e Kinës në Washington.
Sipas zyrtarëve kinezë, bisedimet u zhvilluan me kërkesën e Trumpit porse nuk u dhanë detaje të tjera mbi telefonatën e liderëve.
E as Shtëpia e Bardhë nuk i është përgjigjur kërkesës për komente nga agjencia “Reuters”.
Telefona e shumëpritur ka ndodhur në kohën e tensioneve të larta tregtare ndërmjet dy superfuqive ekonomike.
Trumpi përmes një shkrimi në rrjetin social “Truth Social”, kishte thënë të mërkurën se është shumë e vështirë të arrihet marrëveshje tregtare me homologun e tij kinez, Xi Jinping.
“Më pëlqen presidenti Xi i Kinës, gjithmonë më ka pëlqyer, dhe gjithmonë do të më pëlqejë. Por ai është shumë i ashpër dhe jashtëzakonisht i zorshëm për të arritur një marrëveshje me të!!!”, kishte shkruar ai.
Në kuadër të marrëveshjes tregtare që ishte arritur në muajin maj, SHBA-ja kishte ulur tarifat karshi Kinës në 30%, ndërsa tarifat hakmarrëse të Kinës ishin ulur njëkohësisht në 10%.
Që prej atëherë, të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën se po e shkelin marrëveshjen e dakorduar.