Botë

Tmerret që pa mjeku amerikan në Gaza

Gaza

Sam Attari, është një mjek amerikan, që para tri javësh është rikthyer në Chicago, pasi kishte qëndruar për dy javë në Gaza. Por ai ka treguar se ende në mendje i ka fytyrat e pacientëve që i ka trajtuar gjatë qëndrimit të tij atje, si dhe të familjarëve të tyre të dëshpëruar.

Sam Attari mendon se e ka lënë një pjesë të shpirtit të tij në Gaza. Ishte pjesa e shpirtit të tij që i ka parë vuajtjet dhe nuk ka mundur të rikthehet. Pjesa e shpirtit që nuk mund ta harrojë kurrë atë që ka parë.

Mund të ndodhesh në bregun e liqenit Michigan në një ditë të bukur pranvere, me erën që formon valë në ujin e gjelbër. Dhe në të njëjtën kohë mund të jesh atje, në Gaza, në vendin e nxehtë dhe duke vdekur.

Janë bërë tri javë që nga rikthimi i tij në Chicago, por duket sikur të kishte qenë dje. Fytyrat e asaj bote tjetër janë me të: Jenna, vajza e vogël e traumatizuar, e dobësuar dhe e zbehur, e shtrirë në shtratin e spitalit, teksa nëna e saj i tregonte Samit një video të festës së ditëlindjes së kaluar të saj. Ditët e lumtura para katastrofës.

Një nënë tjetër, djali 10-vjeçar i së cilës vetëm sa kishte vdekur.

“Nëna, me vështrim të zbrazët në fytyrën e saj, më tregoi se djali i kishte vdekur para pesë minutash. Stafi ishte përpjekur ta mbulonte trupin e tij me batanije, por ajo nuk i ka lejuar. Ajo dëshironte të kalonte më shumë kohë me të. Ajo ishte duke vajtuar, ishte duke qarë dhe ka qëndruar ashtu për gati 20 minuta, duke mos dashur të largohej nga ai”.

Pastaj ka qenë një burrë në të 50-at, i harruar në një dhomë, me të dy këmbët e tij të amputuara.

“Ai i kishte humbur fëmijët e tij, nipat dhe mbesat e tij, shtëpinë e tij”, thotë Sami. “Dhe ai ishte i vetëm në një qoshe të spitalit të errët, me krimba që i dilnin nga plagët dhe ai bërtiste: ‘Krimbat janë duke më ngrënë për së gjalli, ju lutem më ndihmoni’. Këto kanë qenë vetëm disa nga... nuk e di, kam ndaluar numërimin. Por këta janë njerëzit për të cilët mendoj akoma sepse janë akoma atje”.

Sam është një burrë i ndjeshëm, i kujdesshëm në të 40-at, i biri i dy mjekëve, i cili ka lindur dhe është rritur në Chicago dhe që punon si kirurg në spitalin “Northwestern” të qytetit. Teksa ishte në Gaza, ai kishte filmuar eksperiencat e tij.

Gjendja e spitaleve

Për dy javë në mars dhe në prill - në emër të OJQ-së “Palestinian American Bridge” – ai kishte punuar në spitalet e Gazës, të cilave dëshpërimisht u kishte munguar gjithçka, përveç pacientëve të lënduar rëndë. Në ditën që ai kishte hyrë në Gaza, ishte përballur menjëherë me krizën e urisë.

“Ne u rrethuam nga njerëzit që e godisnin makinën, disa njerëz që përpiqeshin të hidheshin mbi makinë. Shoferët... e dinin çfarë të bënin. Ata nuk ndalonin sepse e dinin që nëse ndalojnë atëherë njerëzit do të hidheshin sipër makinës. Ata nuk ishin duke u përpjekur të na lëndojnë. Ata thjesht kërkonin bukë. Ishin duke vdekur nga uria”.

Sami i rrëfen eksperiencat qetësisht, siç mund të pritet nga një burrë i trajnuar për t’i qetësuar pacientët. Çdo ditë ka ekzistuar presioni i pamëshirshëm i kryerjes së vlerësimit paraprak të pacientëve për ta përcaktuar urgjencën e nevojës për trajtim dhe natyrën e trajtimit të kërkuar, ku ka zgjedhur se kush do të mund të shpëtojë, e kush nuk kishte shpresa. Pacientët e shtrirë në dyshemenë e spitalit të rrethuar me gjak dhe fasha të hedhura, hapësira e mbushur me të qarat e dhimbjes ose të të afërmve që vajtonin.

Nuk ka mënyrë për t’i fshirë nga mendja tmerret e tilla. Edhe nëse je mjek shumë i trajnuar me eksperienca të kaluara nëpër zona të luftës si në Ukrainë, Siri dhe Irak.

“Akoma mendoj për të gjithë pacientët për të cilët jam kujdesur”, thotë ai. “Për të gjithë doktorët që janë akoma atje. Ndiej pak faj dhe turp nga largimi sepse ka shumë për t’u bërë. Nevojat janë të shumta. Dhe t’i largohesh nga njerëzit që janë akoma atje dhe që janë akoma duke vuajtur”.

Në udhëtimin e fundit – i treti për të në Gaza që nga fillimi i luftës – ai i është bashkëngjitur ekipit të mjekoligjorëve ndërkombëtarë dhe është vendosur në një spital në veri të Gazës, ku kequshqyerja ishte më akute.

Misioni ishte organizuar nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH), e cila kishte paralajmëruar për urinë e madhe në Gaza. Rreth 30% e fëmijëve nën moshën 2-vjeçare janë raportuar të jenë të kequshqyer në mënyrë akute dhe 70% e popullatës në veri të Gazës janë duke u ballafaquar me atë çka Organizata e Kombeve të Bashkuara e quan “uri katastrofike”.

Muajin e kaluar shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Turk, e ka akuzuar Izraelin për krime të mundshme të luftës, për shkak të krizës së ushqimit në Gaza.

“Shtrirja e kufizimeve të vazhdueshme të Izraelit për hyrjen e ndihmave në Gaza, së bashku me mënyrën me të cilën ai vazhdon sulmet, mund të jenë të barabarta me përdorimin e urisë si metodë lufte”, ka thënë ai.

Izraeli e mohon këtë dhe e ka fajësuar OKB-në dhe agjencitë e ndihmave për dërgesa të ngadalta ose joadekuate të ndihmave.

Qeveria e Izraelit ka thënë se matjet e OKB-së sa i përket urisë, ishin të bazuara në “të dhëna me të meta të shumta faktike dhe metodologjike, disa prej tyre serioze”. Qeveria ka thënë se i kishte gjurmuar raportimet nga mediat që tregjet e ushqimit në Gaza, duke e përfshirë veriun, kishin mjaft furnizime.

“Kështu, me të drejtë, ne refuzojmë çdo supozim sipas të cilit Izraeli me qëllim është duke e lënë të uritur popullsinë civile në Gaza”, thuhej në një deklaratë qeveritare.

Pacientët e Sam Attarit

Sam Attarit i kujtohet gruaja 32-vjeçare që ka pranuar se kishte vuajtur nga kequshqyerja e rëndë, me djalin e saj, nënën dhe babanë në dhomë me të.

Asaj i është dashur t’i nënshtrohej ringjalljes kardiopulmonare (CPR) – në përpjekje për t’ia rikthyer rrahjet e zemrës – por e cila nuk kishte arritur të shpëtohej.

“M’u desh ta shpallja të vdekur”, thotë Sami. “Nëna e re e shtrirë në stol, me krahun e majtë që i varej drejt tokës, sytë e kthyer në momentin e vdekjes. Në anën tjetër të dhomës, një infermiere e ka ngushëlluar nënën e saj që qante”.

Pastaj ishte një vajzë e vogël, Jenna Ayyad, 7-vjeçare, “asht e lëkurë”, nëna e së cilës ka shpresuar ta dërgonte në jug ku kishte në dispozicion spitale më të mira.  

Jenna ishte e traumatizuar nga lufta dhe dukej se ishte jashtëzakonisht e kequshqyer. Ajo vuante nga fibroza cistike, e cila e bënte tretjen më të vështirë. Gjendja e saj ishte përkeqësuar nga lufta dhe ajo gjithashtu ishte duke vuajtur nga trauma. Jenna dukej e humbur dhe fliste vetëm me nënën e saj.

“Çfarë mund të bëj unë? Ajo nuk mund të trajtohet”, ka thënë Nisma Ayyad. “Gjendja e saj mentale është shumë e rëndë. Ajo nuk flet fare kur dikush i flet asaj. Gjendja e saj është e keqe dhe si nënë, unë nuk mund të bëj asgjë”.

Attari ka thënë se teksa ekipi i tij i kishte mbledhur gjërat për t’u rikthyer në Gazën jugore, nëna e Jennas i ishte afruar atij.

“Nëna e Jennas m’u afrua dhe më tha, ‘Unë mendova se ne do të vinim me ju... çfarë është duke ndodhur? Përse jeni duke shkuar ju dhe ne jemi duke qëndruar këtu?’”.

Samit i është dashur t’ia shpjegojë se autokolona ishte aprovuar vetëm për dërgimin e karburantit dhe ushqimit dhe jo për t’i dërguar pacientët.

Por para se të largoheshin, Sami dhe kolegët e tij kishin mbushur dokumentet e nevojshme për ta transferuar Jennan. Atyre do t’u duheshin ditë, por duhet të kujdeseshin që dokumentet të arrinin në zyrat përkatëse. Kur Sami kishte shkuar të fliste me nënën e Jennas, nënat e tjera e kishin vërejtur.

“Problemi është që ishte dhomë e madhe, e ndarë me ndoshta nga 10 pacientë. Kështu që kur nënat e tjera më kanë parë duke folur me të, ato gati të gjitha nxituan drejt meje”.

Jenna ishte transferuar dhe tani është duke u trajtuar në spitalin “International Medical Corps” afër Rafahut.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, muajin e kaluar shumica e të vrarëve në luftë kanë qenë gra dhe fëmijë: 13 mijë fëmijë dhe 9 mijë gra.

Lufta është tani në muajin e shtatë. Negociatat për armëpushim dhe lirim të pengjeve janë të bllokuara. Çdo ditë dhe çdo natë të lënduarit dhe të kequshqyerit arrijnë në ato pak spitale funksionale që kanë mbetur. Sipas OBSH-së vetëm 10 nga 36 spitalet e Gazës janë duke funksionuar akoma.

Udhëtimi në Gaza mund të jetë shumë i rrezikshëm për punonjësit e ndihmës, shtatë prej të cilëve, duke përfshirë tre britanikë, u vranë më 1 prill, kur ushtria izraelite sulmoi autokolonën e tyre me raketë.

Sami i përshkruan pritjet e gjata në pikat izraelite të kontrollit. “Ne shpesh presim një deri në katër orë, duke u varur nga sa kohë u duhet izraelitëve ta aprovojnë kalimin sepse janë duke kryer operacione ushtarake”.

Mjeku i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dëshiron të shohë shtytje për të dërguar më shumë ndihma në veri.

“Veriut i duhet më shumë akses, i duhet më shumë ushqim, më shumë karburant, më shumë ujë, rrugët duhet të hapen... Dhe ka aq shumë pacientë që kanë nevojë të evakuohen nga veriu për në jug dhe problemi është se jugu është gjithashtu i mbushur. Çka dua të them është se spitalet janë duke shpërthyer”.

Ai do të rikthehet. Shpreson se së shpejti. Ka lidhje miqësie që atij i bëjnë thirrje për t’u kthyer.

Ndihmësmjeku Nabil, të cilin Sami e ka parë çdo ditë, teksa sillte të lënduar për trajtim, derisa ai vetë u bë viktimë dhe u desh të nxirrej nga gërmadhat prej kolegëve të tij. Ai është akoma gjallë, por nuk është në gjendje të largohet nga Gaza.

Doktori, vajza e të cilit ishte vrarë, kishte gjetur bujarinë për ta ngushëlluar nënën, fëmija i së cilës ishte duke vuajtur nga një lëndim në tru i shkaktuar nga copëza e bombës.

Dhe ka pacientët dhe familjet e tyre që shohin te mjekët, infermierët dhe ndihmësmjekët jo vetëm mundësinë e ndihmës praktike, por edhe mirësjelljen njerëzore në një vend të mbushur me terror dhe degradim.

Këta të gjithë janë njerëzit e Sam Attarit. Të gjithë prej tyre.