Botë

Të paktën 60 të vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës

Gaza

Foto: Associated Press

Të paktën 60 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

Izraeli ka nisur një tjetër ofensivë të madhe në territorin palestinez në ditët e fundit, që thuhet se ka për synim të kthejë dhjetëra pengje të mbajtura nga Hamasi dhe të shkatërrojë në tërësi grupin militant, transmeton agjencia e lajmeve AP.

Të hënën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mori vendim që të lejojë një numër të vogël kamionësh me ndihma të hyjnë në Gazë për herë të parë pas 2 muajsh e gjysmë, tek ka thënë se ishte nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare për të hequr bllokadën ndaj 2 milionë palestinezëve që jetojnë në enklavë.

Megjithatë, agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë bërë të ditur se numri i kamionëve që hynë nuk ishte i mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e mëdha për ushqim, ilaçe dhe furnizime të tjera. Rreth 600 kamionë në ditë kishin hyrë gjatë armëpushimit më herët këtë vit.

Nuk ka pasur ende ndonjë koment nga ushtria izraelite për sulmet.

Lufta në Gaza filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë 1.200 njerëz në vitin 2023 në Izraelin jugor. Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë mbi 50,000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.

Ofensiva e Izraelit ka zhdukur një pjesë të madhe të peizazhit urban të Gazës dhe ka zhvendosur rreth 90% të popullatës.