Botë

Të paktën 18 palestinezë të vrarë pas sulmit izraelit me dronë

gaza

Foto: Associated Press

Të paktën 18 palestinezë kanë humbur jetën pasi sulmi me dronë i ushtrisë izraelite ka shënjestruar një njësit policor të grupit militant Hamas që po përpiqej të vendoste kontroll në një treg në qytetin Deir al-Balah në Gazën qendrore, ka raportuar BBC.

Dëshmitarët okular bënë të ditur se dronët izraelitë hapën zjarr ndaj anëtarëve të forcës policore të Hamasit, të veshur me rroba civile dhe me maska, të cilët po përballeshin me tregtarë që i akuzonin për rritje të çmimeve dhe shitje të mallrave të grabitura nga kamionët e ndihmës.  

Ministria e Brendshme e kontrolluar nga Hamasi i dënoi sulmet, duke e akuzuar Izraelin se ka kryer “një krim të ri kundër një njësiti policor të ngarkuar me ruajtjen e rendit publik”.

Incidenti ka ndodhur në kohën kur popullata civile në Rripin e Gazës vazhdon të përballet me vështirësi për të siguruar ushqim, me të shtëna të raportuara pothuajse çdo ditë në dhe rreth pikave të shpërndarjes së Fondacionit Humanitar të Gazës (FHG), të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli, përderisa mallrat e kufizuara në treg shiten me çmime shumë të larta. 

Fondacioni në fjalë, që është akuzuar nga organizata ndërkombëtare të ndihmës për shkelje të parimeve humanitare, kishte pranuar një financim shtesë prej 30 milionë dollarësh të enjten nga SHBA-ja, e cila ka mbështetur përpjekjet izraelite për ta kthyer atë në organizatën më të madhe të ndihmës në Gaza.

E në ushtrinë izraelite ende s’i janë përgjigjur kërkesës së BBC-së për komente lidhur me rastin.