Botë

Supremja e ndarë nëse Trumpi duhet të ndiqet penalisht

Gjykata Supreme e SHBA-se

Getty Images

Gjykata Supreme e SHBA-së për afro tri orë ka trajtuar të enjten nëse ish-presidentët amerikanë duhet të gëzojnë imunitet për veprat që kanë kryer gjatë kohës sa ishin në detyrë.

Për gati tri orë të enjten, Gjykata Supreme e SHBA-së ka vlerësuar nëse ish-presidentët kanë imunitet nga ndjekja penale dhe çfarë do të nënkuptojë saktësisht nëse e kanë këtë, raporton “BBC”. 

Përgjigja e saj do të përcaktojë nëse ish-presidenti Donald Trump do të gjykohet nën akuzat se tentoi të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 sa kishte qenë president i SHBA-së. 

Cilido qoftë vendimi, secili gjykatës tha se do të formësojë demokracinë amerikane për vitet në vijim. 

“Ne po shkruajmë një rregull për moshat e ardhme”, ka thënë gjyqtari Neil Gorsuch. 
Çështja, e dëgjuar në një seancë speciale njëditore, sillet rreth pretendimit të Trumpit se ai gëzon imunitet absolut nga akuzat penale për veprimet që ka kryer derisa ishte president. 

Sipas Trumpit, imuniteti e mbron atë nga akuzat penale të ngritura nga Prokurori i Posaçëm i SHBA-së, Jack Smith. Trump po akuzohet se u përpoq të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. 
Gjykimi i Trumpit për këtë çështje nuk do të nisë derisa Supremja të nxjerrë një vendim, e që pritet të ndodhë në qershor. 

Në Supreme u vërejt një ndarje dhe u la të kuptohet se një vendim i ndarë mund të jetë i mundshëm. 

Pyetjet janë se çfarë do të nënkuptonte imunitet i plotë. A do të nënkuptonte imuniteti i plotë që një president i ardhshëm i SHBA-së do të mund ta përdorte ushtrinë për t’i eliminuar rivalët? Apo, nëse s’ka imunitet, a do të nënkuptonte se presidentët do t’i nënshtroheshin tekave të prokurorëve individualë dhe të burgoseshin si hakmarrje politike? 

Derisa pala konservatore dukej më e hapur ndaj idesë se gjithë ish-presidentët e SHBA-së duhet ta kenë një lloj imuniteti, të gjithë gjyqtarët dukeshin skeptikë ndaj argumenteve të bëra nga avokati i Trumpit, Dean John Sauer, se një ish-president ka pothuajse një mbrojtje totale nga ndjenja penale. 
Sauer u përballë me pyetje nga nëntë gjyqtarët në fillim. 

“Po nëse presidenti urdhëron ushtrinë të bëjë një grusht shtet?” – pyeti gjyqtarja Elena Kagan, një nga tre prej gjyqtarëve liberalë. 

Sauer u shfaq në mëdyshje për t’u përgjigjur, përpara se të thoshte “do varej nga rrethanat”. 

Gjyqtarja Kagan, iu përgjigj: “Kjo tingëllon shumë keq, apo jo?”

Michael Dreeben, që përfaqëson Qeverinë e SHBA-së, u mor po ashtu në pyetje, ndërsa gjyqtarët e përballën atë me pasoja që mund të ketë nëse presidentët amerikanë nuk kanë një nivele mbrojtjeje penale. 

“A e kuptova që thua...nëse presidenti bën një gabim...ai duhet t’i nënshtrohet ligjeve penale sikur të gjithë tjerët?” – ka pyetur gjyqtari Samuel Alito. “A nuk mendoni se ai është në një pozitë të veçantë, veçanërisht të pasigurtë?”

Dreeben u përgjigj se “duke bërë një gabim” nuk do të çonte dikë nën ndjekje penale.