Një dron rus goditi një minibus, duke vrarë nëntë persona dhe duke lënë të lënduar katër të tjerë në rajonin ukrainas të Sumyt, kanë njoftuar zyrtarët ukrainas të shtunën. Sulmi ndodhi vetëm disa orë pasi Moska dhe Kievi zhvilluan bisedimet e tyre të para direkte për paqe në Stamboll.
“Ky nuk është thjesht një tjetër bombardim, është një krim lufte cinik”, ka njoftuar Policia Kombëtare e Ukrainës përmes postimit në rrjetin social Telegram.
Ndërkaq, kryetari i administratës ushtarake të Sumyt, Ihor Tkachenko, ka bërë të ditur se një operacion shpëtimi është në zhvillim e sipër.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS, ka cituar deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes, se forcat ruse goditën një zonë grumbullimi të pajisjeve ushtarake ukrainase në rajonin e Sumyt.
Takimi i zyrtarëve rusë dhe ukrainas në Turqi të premten nuk arriti të ndërmjetësonte armëpushim të përkohshëm. Ky ishte dialogu i parë i drejtpërdrejtë midis dy palëve që nga muajt e parë të luftës që Rusia e nisi në shkurt të vitit 2022.