Botë

Starmer i quan veprimet e fundit të Izraelit “të patolerueshme” dhe “të tmerrshme”

Keir Starmer

Foto: Associated Press

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka deklaruar të mërkurën para Dhomës së ulët të parlamentit se veprimet e fundit ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës janë “të patolerueshme” dhe “të tmerrshme”, ka raportuar BBC.

“Duhet të rikthehemi në armëpushim. Kemi nevojë që pengjet që janë mbajtur për një kohë shumë të gjatë të lirohen dhe kemi nevojë urgjente për më shumë ndihmë në Gaza, sepse është një situatë e tmerrshme dhe e patolerueshme”, ka deklaruar ai.

Ai ka shtuar se po konsiderohen masa të reja kundër Izraelit, përfshirë edhe sanksione.

“Ne e kemi kundërshtuar zgjerimin e operacioneve ushtarake dhe dhunën e kolonëve, si dhe bllokadën ndaj ndihmës humanitare”, ka vazhduar Starmer.

Britania e Madhe, Franca dhe Kanadaja kanë kritikuar njëzëri fushatën e re ushtarake, madje kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin “veprime konkrete” nëse vazhdon “zgjerimi i egër” i operacioneve ushtarake në Gazë.

Liderët e këtyre vendeve i kanë bërë thirrje Izraelit që t’i ndalojë operacionet ushtarake dhe të lejojë menjëherë ndihmën humanitare që të futet në Gazë.

Nga ana tjetër, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka kritikuar homologët e tij, dhe i ka akuzuar se po e mbështesin grupin militant Hamas, dhe po e lejojnë atë të mbijetojë dhe të rindërtohet.