Botë

Siria përpiqet të ndalë përplasjet vdekjeprurëse mes beduinëve dhe druzëve

SIRIA

Përplasjet kanë vazhduar në jug të Sirisë, megjithëse presidenti i vendit shpalli një “armëpushim të menjëhershëm”. Raportet thonë se luftëtarët druza, të shtunën, i dëbuan nga qyteti i Suweida luftëtarët beduinë, por luftimet vazhduan në pjesë të tjera të provincës.

Forcat qeveritare të shpërndara më herët këtë javë nga presidenti përkohëshem Ahmed al-Sharaa u akuzuan për bashkëpunim në sulme ndaj pakicës druza. Raportohet se më shumë se 900 persona janë vrarë gjatë javës së kaluar. Të gjitha palët akuzohen për krime lufte.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kërkoi fund për “dhunën dhe masakrat ndaj njerëzve të pafajshëm” në Siri, në një postim në platformën X të shtunën.

“Nëse autoritetet në Damask duan të ruajnë ndonjë mundësi për të arritur një Siri të bashkuar, gjithëpërfshirëse dhe paqësore, të lirë nga ISIS dhe nga kontrolli iranian, ata duhet të ndihmojnë që të ndalet kjo katastrofë duke përdorur forcat e sigurisë për të parandaluar hyrjen e ISIS dhe çdo grupi tjetër të dhunshëm xhihadist në këtë zonë dhe kryerjen e masakrave. Ata duhet gjithashtu të mbajnë përgjegjësi dhe të sjellin para drejtësisë çdo individ të përfshirë në krimet, përfshirë ata në radhët e tyre”, ka thënë ai.