Shtatë gazetarë janë plagosur nga një sulm ajror izraelit në oborrin e një spitali në Gazan qendrore. Katër anëtarë të grupit militant të Xhihadit Islamik (IJ) u vranë në sulmin që qëllim kishte spitalin al-Aksa, raporton BBC.
Ushtria izraelite ka njoftuar se goditi një qendër komanduese të Xhihadit Islamik në oborrin e spitalit në Deir al-Balah.
Hamasi dhe stafi mjekësor mohojnë akuzat izraelite se militantët përdorin spitalet si baza.
Xhihadi Islamik, aleat i Hamasit, nuk ka komentuar.
Gazetarët ishin mes qindrave banorëve që janë strehuar në tenda të improvizuara në mjediset e spitalit.
Një nga të plagosurit ishte një profesionist i pavarur që punonte për BBC-në.
“Ata sulmuan tendën pa asnjë paralajmërim, ne po qëndronim në tendë si një grup gazetarësh në mënyrë paqësore pa asnjë terrorist në mesin tonë”, ka theksuar Ali Hamad, fotograf për agjencinë e lajmeve Reuters.
“Ne po përgatisnim kamerat tona dhe papritmas tenda u godit, gjithçka u errësua me mbeturina dhe gurë që fluturonin mbi kokat tona, kishte edhe flakë”.
Ushtria izraelite ka bërë të ditur se “qendra e komandës dhe terroristët u goditën saktësisht, me qëllim minimizimin e dëmit ndaj civilëve të pa përfshirë në zonën e spitalit”.
Sulmet izraelite vranë 77 persona në Gaza në 24 orët e fundit, njoftoi të dielën ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi.
Ajo raportoi se nëntë persona të tjerë vdiqën në një sulm izraelit në Bani Suhaila pranë qytetit të Khan Younisit.