Botë

Shërbim i detyrueshëm ushtarak për ultra-ortodoksët në Izrael

Ushtria e Izraelit

Protesta masive priten në fund të muajit në Izrael, kur Qeveria pritet të propozojë ligjin e ri që synon rritjen e regjistrimit të meshkujve të komunitetit ultra-ortodoks për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Shumicës së meshkujve hebrenj u kërkohet të shërbejnë për tre vjet në ushtri, shtuar edhe vitet e detyrës rezervë. Por ultra-ortodoksët, të fuqishëm politikisht, të cilët përbëjnë afërsisht 13% të shoqërisë izraelite, janë përjashtuar tradicionalisht nga shërbimi ushtarak nëse kanë studiuar me kohë të plotë në institucionet fetare.

Megjithatë, lufta e gjatë në Rripin e Gazës kundër Hamasit ka ndryshuar tolerancën ndaj atyre që refuzojnë të shërbejnë. Çështja mbi shërbimin e detyrueshëm madje mund ta shtyjë vendin drejt zgjedhjeve të reja nëse anëtarët ultra-ortodoksë të Knessetit (Parlamentit) vendosin të largohen nga koalicioni për shkak të pakënaqësisë me ligjin e ri.

Sipas Gjykatës së Lartë, sistemi aktual është diskriminues dhe i ka dhënë Qeverisë afat deri më 1 prill për të paraqitur një projektligj dhe deri në korrik për ta miratuar atë.

Dy anëtarët e tjerë të kabinetit të luftës të Netanyahut kanë kërcënuar se do të japin dorëheqjen nëse nuk arrihet një sistem më i drejtë. Rënia e kabinetit të luftës do ta minonte stabilitetin e vendit në një kohë të ndjeshme të luftimeve.

Humbja e partive ultra-ortodokse do ta rrëzonte koalicionin më të gjerë qeverisës të Netanyahut dhe do ta zhyste vendin në zgjedhje të reja në një kohë kur lideri izraelit dhe partia e tij “Likud” janë duke dalë keq në sondazhet e opinionit.

Pas sulmit të Hamasit, Izraeli aktivizoi 360 mijë rezervistë në mobilizimin më të madh që nga lufta e Lindjes së Mesme e vitit 1973. Shumë prej tyre janë liruar, por pritet të kthehen në detyrë në muajt e ardhshëm. Ultra-ortodoksët, ose Haredim në hebraisht, thonë se integrimi në ushtri do të kërcënojë mënyrën e tyre të jetesës ndër breza dhe se stili i tyre i devotshëm i jetës e mbron Izraelin po aq sa një ushtri e fortë.

Me afrimin e afatit për një ligj të ri, diskursi publik është bërë gjithnjë e më toksik. Grupi “Brothers in Arms”, i cili përfaqëson ushtarët në pension, kanë bërë thirrje që ultra-ortodoksët të detyrohen të shërbejnë. Çdo vit, afërsisht 13 mijë meshkuj ultra-ortodoksë arrijnë moshën 18 vjeç, por vetëm 1.200, më pak se 10%, regjistrohen në ushtri, sipas Komitetit të Kontrollit Shtetëror të Parlamentit izraelit, i cili së fundmi mbajti një seancë dëgjimore për këtë çështje. Sulmi i 7 tetorit u duk se ndezi një entuziazëm te ultra-ortodoksët për të shërbyer, por asnjë regjistrim i madh nuk u materializua, sipas mediave izraelite.

 Ushtria nuk ka pranuar të komentojë mbi këtë çështje. Ajo është përpjekur të akomodojë ultra-ortodoksët duke krijuar njësi të veçanta, si Batalioni Netzah Yehuda, duke i lejuar ata që të mbajnë praktikat e tyre fetare, duke përfshirë minimizimin e ndërveprimit me gratë.