Botë

Shefi i sigurisë në Izrael e dënon terrorizmin e militantëve izraelitë

Shin Bet

Foto: Associated Press

Kreu i agjencisë së sigurisë i Izraelit "Shin Bet" i ka paralajmëruar liderët shtetërorë se terrorizmi hebre në Bregun Perëndimor është jashtë kontrollit dhe se është bërë kërcënim serioz për sigurinë kombëtare.

Ronen Bar e ka bërë paralajmërimin në një letër për kryeministrin, Benjamin Netanyahu, prokurorin e përgjithshëm dhe anëtarët e kabinetit.

Letra e Barit e ka nxjerrë në pah hendekun e gjerë dhe të ashpër midis krahut të ekstremit të djashtë të koalicionit të Netanyahut dhe organit të sigurisë, raportoi Guardian. 

Ministri për Siguri Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, një prej të kritikuarve nga Bar, ka bërë thirrje që kreu i Shin Bet të pushohet.

Letra e Barit fokusohet në ekstremistët hebre, militantë të dhunshëm që kanë kryer vrasje dhe dhunë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor, me synimin për t’i larguar nga toka e tyre.

Bar ka thënë se veprime të tilla nuk duhet të përshkruhen si kriminalitet, por si terrorizëm.

“Nuk është krim sepse është përdorim i dhunës për të krijuar frikë, për të përhapur frikë. Ky është terror”, ka shkruar ai.

Fushata e terrorizmit, thuhet në letër, është “njollë e madhe mbi judaizmin dhe mbi të gjithë ne”.