Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë të premten se sulmet e Izraelit në Iran ishin të njëanshme dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë të përfshira.
“Sonte, Izraeli ndërmori veprime të njëanshme kundër Iranit. Ne nuk jemi të përfshirë në sulme kundër Iranit dhe përparësia jonë kryesore është mbrojtja e forcave amerikane në rajon”, ka thënë Rubio përmes një njoftimi.
Sipas tij, administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të garantuar sigurinë e personelit dhe ushtarëve amerikanë në rajonin e Lindjes së Mesme.
“Izraeli na njoftoi se beson që ky veprim ishte i nevojshëm për vetëmbrojtjen e tij. Presidenti Trump dhe administrata kanë ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur forcat tona dhe mbeten në kontakt të ngushtë me partnerët tanë rajonalë. Më lejoni të jem i qartë: Irani nuk duhet të synojë interesat ose personelin e SHBA-së”, ka vazhduar ai.
Ndësa presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se ka qenë në dijeni për planet e Izraelit më parë, por e ka bërë të qartë se ushtria amerikane nuk luajti rol në operacion.
“Irani nuk mund të ketë një bombë bërthamore dhe ne po shpresojmë të rikthehemi në tavolinën e negociatave”, ka thënë ai.
