Botë

SHBA-ja i pezullon edhe për 90 ditë tarifat tregtare ndaj Kinës

kine shba

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina kanë zgjatur “armëpushimin” tregtar deri më 10 nëntor, vetëm disa orë para se dy ekonomitë më të mëdha të botës të rrisnin tarifat ndaj njëra-tjetrës.

Tarifat më të larta do të pezullohen edhe për 90 ditë të tjera, kanë bërë të ditur zyrtarët e Pekinit dhe Washingtonit përmes një deklarate të përbashkët. Bisedimet e muajit të kaluar kishin përfunduar me të dyja palët duke i kualifikuar ato si konstruktive.

Negociatori kryesor i Kinës kishte thënë asokohe se të dyja vendet do të përpiqeshin të ruanin “armëpushimin”, teksa zyrtarët amerikanë patën njoftuar se po prisnin për miratimin përfundimtar nga presidenti Donald Trump.

E një ditë më parë, Trumpi veçse e nënshkroi urdhrin ekzekutiv për ta shtyrë më tutje afatin e tarifave.

Sipas marrëveshjes, SHBA-ja do të mbajë tarifat ndaj importeve kineze në 30 për qind, ndërsa Kina do të vendosë tarifë prej 10 për qind ndaj mallrave amerikane.

Në muajin prill, Washingtoni zyrtar kishte kërcënuar me tarifa deri në 145% për mallrat kineze, teksa Pekini u kundërpërgjigj me tarifa deri në 125% për produktet me origjinë amerikane. Shkalla e tarifave për të dyja vendet ishte ulur më pastaj, pas bisedimeve fillestare tregtare që u zhvilluan në Gjenevë të Zvicrës.

Në Shtëpinë e Bardhë kanë bërë të ditur se zgjatja më e fundit e “armëpushimit” do t’iu japë më shumë kohë negociatave rreth “korrigjimit të pabarazive tregtare” dhe “praktikave të padrejta tregtare”.

Bisedimet do të synojnë gjithashtu të rrisin qasjen e eksportuesve amerikanë në tregun kinez dhe të trajtojnë çështjet e sigurisë kombëtare dhe ekonomike, thuhet në deklaratë.