Pavarësisht një jave tensionesh me Izraelin lidhur me luftën në Gaza, Washingtoni raportohet të ketë autorizuar transferin e armëve te aleati i saj, në vlerë prej miliarda dollarësh.
Ndihma përfshinë armë të llojeve të ndryshme e po ashtu edhe 25 avionë F35A, kanë bërë të ditur Reuters dhe Washington Post të shtunën.
Washingtoni i jep 3,8 miliardë dollarë ndihmë të përvjetshme ushtarake për Izraelin.
Por paketa e fundit vjen pasi administrata Biden ka ngritur shqetësime për rritjen e vdekjeve të civilëve në Gaza dhe aksesin humanitar në territor, për të cilin OKB thotë se është në prag të urisë.
Administrata ka thënë gjithashtu se "nuk mund të mbështesë" një ofensivë tokësore të parashikuar në shkallë të gjerë izraelite në Rafah në kufirin me Egjiptin, ku ka më shumë se një milion njerëz të zhvendosur.
Ministria palestineze e punëve të Jashtme në Ramallah kritikoi SHBA-në për mospërputhje në qëndrimet e saj.
"Kërkimi i kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, që të ndalojë vrasjen e civilëve dhe furnizimin e tij me armë, është një kontradiktë e paparë parimore dhe morale", ka thënë ministria në një postim në X.
Transferimet e armëve janë kritikuar ashpër nga disa anëtarë të lartë të Partisë Demokratike të presidentit, të cilët kanë kërkuar që ndihma ushtarake amerikane të kufizohet ose të kushtëzohet me ndryshime në mënyrën se si Izraeli kryen operacione ushtarake.
Duke cituar zyrtarë të Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit, Washington Post raportoi se avionët shtesë luftarakë që po dërgoheshin në Izrael u miratuan fillimisht si pjesë e një pakete më të madhe nga Kongresi në vitin 2008 dhe ishin kërkuar vitin e kaluar - përpara sulmeve vdekjeprurëse të 7 tetorit nga Hamasi që shkaktoi luftën e Gazës.