Botë

Rusia zotohet për hakmarrje, pasi “rrëzoi tetë raketa amerikane”

Rusia

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë se sistemi mbrojtës i shtetit ka hedhur poshtë tetë raketa balistike së bashku me mjete ajrore pa pilot të tipit avion (UAV). Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, “këto veprime nga regjimi i Kievit, që mbështetet nga kujdestarët perëndimorë, do të përballen me hakmarrje”.

Rusia është zotuar për hakmarrje pasi ka thënë se i ka rrëzuar tetë raketa ATACMS të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e të shfrytëzuara nga Ukraina, të shtunën në mëngjes.

Moska e konsideron përdorimin e këtyre raketave, që kanë mundësi të fluturojnë deri në 300 kilometra distancë, si eskalim të madh.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë se sistemi mbrojtës i shtetit ka hedhur poshtë tetë raketa balistike së bashku me mjete ajrore pa pilot të tipit avion (UAV). Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, “këto veprime nga regjimi i Kievit, që mbështetet nga kujdestarët perëndimorë, do të përballen me hakmarrje”.

Sipas deklaratës, disa dronë u shkatërruan në rajonin e Leningradit dhe një në Kursk, aty ku Ukraina pati nisur në verën e shkuar një sulm të papritur.

Presidenti në largim i SHBA-së, Joe Biden, pati miratuar në nëntor përdorimin e ATACMS-ve nga Kievi – duke thënë se është përgjigje për zgjerimin e konfliktit nga Rusia, duke dislokuar trupat e Koresë së Veriut.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka kërcënuar se do t’u përgjigjet goditjeve ukrainase me ATACMS me një raketë të re balistike me kapacitet nuklear, të quajtur “Oreshnik”.

Muajin e shkuar, Putini sugjeroi se ajo mund të provohet në kryeqytetin ukrainas, Kiev, si test për sistemet perëndimore të mbrojtjes ajrore.

Hera e parë dhe e vetmja e lansimit të kësaj arme eksperimentale ishte në rajonin Dnipro të Ukrainës, në mëngjesin e 21 nëntorit.

Sulmet me dronë ukrainas kanë detyruar kufizime të përkohshme në një aeroport të Shën Petersburgut, ka njoftuar agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS.

Guvernatori i Leningradit, Aleksandr Drozdenko, ka thënë në një deklaratë në “Telegram” se “gjatë natës dhe mëngjesit të 4 janarit ka pasur numër rekord të UAV-ve të shkatërruar”. Sipas tij, katër ishin hedhur vetëm në këtë rajon.

Ndërkohë një zyrtar ukrainas i sigurisë, Andrii Kovalenko, ka thënë se porti detar në Leningrad ishte cak, duke e quajtur “instrument të mbijetesës ekonomike dhe ushtarake për Rusinë e izoluar”.

Në ndërkohë, Rusia ka lëshuar 81 dronë në drejtim të Ukrainës gjatë orëve të para të së shtunës, sipas Komandës Ajrore të Forcës Ushtarake të Ukrainës. Sipas njoftimit, ndër armët e përdorura kanë qenë edhe dronët e prodhuar nga Irani “Shahed” dhe disa lloje të “imitimeve të dronëve”.

Sipas komunikatës, janë hedhur poshtë 34 “Shahedë” dhe dronë të tipave të tjerë. Dronët e hedhur megjithatë kanë shkaktuar dëme në rajonet Chernihiv dhe Sumy.

Ukraina ka hyrë në vitin e ri më e tërhequr në konfliktin që nisi në shkurt të 2022-s. Rusët kanë avancuar në krahun lindor të frontit.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë të shtunën se forcat e veta kanë marrë kontrollin e fshatit të Nadiyas në rajonin e Luhanskut. Në Donetsk ndërkohë po rritet presioni rus teksa forcat ukrainase po humbin vazhdimisht territor në jug dhe në lindje të qytetit.

Ukraina po ashtu ka shprehur shqetësime për ardhjen e administratës amerikane, me në krye Donald Trumpin. Shqetësimi është se do të reduktohen ndihmat ushtarake. Trumpi në anën tjetër është zotuar t’i japë fund luftës.