Ushtria ruse ka ndërmarrë sulme me raketa dhe dronë mbi kryeqytetin ukrainas, Kiev, në orët e para të së enjtes, duke vrarë të paktën tetë persona, përfshirë një djalë gjashtëvjeçar dhe nënën e tij, si dhe duke plagosur të paktën 88 të tjerë, kanë bërë të ditur zyrtarët lokalë.
Autoritetet ruse kanë njoftuar gjithashtu të enjten se kanë kapur qytetin e Chasiv Yarit në Ukrainën lindore pas gati 16 muajsh luftime, duke hapur rrugën për përparime të mëtejshme.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMinistria ruse e Mbrojtjes ka lëshuar një deklaratë të shkurtër, në të cilën thuhet se forcat e saj e kanë “çliruar” qytetin.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka theksuar se Rusia lëshoi mbi 300 dronë dhe tetë raketa, duke goditur ndërtesa banimi në mbarë kryeqytetin, ka shkruar Reuters.
“Sot bota e ka parë sërish përgjigjen e Rusisë ndaj dëshirës sonë për paqe me Amerikën dhe Evropën. Prandaj, paqja pa forcë është e pamundur”, ka shkruar Zelensky në rrjetin social Telegram.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka njoftuar se nëntë fëmijë u plagosën — numri më i madh i të plagosurve në një natë të vetme në këtë qytet që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë, gati tre vjet e gjysmë më parë.
Shkolla dhe spitale ishin në mesin e ndërtesave që u goditën në 27 zona të ndryshme të qytetit, sipas autoriteteve.
Forcat Ajrore kanë raportuar për pesë goditje direkte me raketa dhe 21 goditje me dronë në 12 lokacione.
Ushtria ruse, e cila mohon kategorikisht se i ka për cak civilët, ka përshkallëzuar sulmet ajrore ndaj qyteteve dhe fshatrave ukrainase larg vijës së frontit gjatë muajve të fundit.