Forcat ruse ndërmorën një sulm masiv me dronë në qytetin port të Odesës, në Detin e Zi, në orët e para të së shtunës, duke shkaktuar vdekjen e një banori dhe zjarri në një ndërtesë shumëkatëshe, njoftuan autoritetet lokale.
Në javët e fundit, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj qyteteve ukrainase, duke bërë që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të ashpërsojë qëndrimin ndaj Moskës dhe të kërcënojë me sanksione më të forta, raporton Reuters.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, tha se nga sulmi në Odesa u plagosën gjashtë persona, përfshirë një fëmijë.
Ai shtoi në një postim në Telegram se Rusia kishte lëshuar mbi 30 raketa dhe 300 dronë gjatë një sulmi të natës që preku 10 rajone të vendit, tek theksoi edhe rëndësinë e mbrojtjes ajrore.
Ukraina ka kërkuar ndihmë shtesë nga aleatët për ta përforcuar mbrojtjen dhe për të investuar në prodhimin e brendshëm për t’u përballur me sulmet ruse.
Të dyja palët ndërluftuese mohojnë se synojnë civilët në këtë luftë, e cila ka nisur më shumë se tre vjet më parë, kur Rusia sulmoi Ukrainën. Mijëra civilë kanë humbur jetën, shumica dërrmuese prej tyre ukrainas.
Në rajonin verilindor të Sumyt, një tjetër sulm me dron dëmtoi infrastrukturën kritike dhe la pa energji elektrike mijëra familje, njoftoi Zelensky.