Rusia ka përjetuar muajin më të keq sa i përket viktimave që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ka thënë shefi i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe, admirali Sir Tony Radakin, në një intervistë për “BBC”.
Sipas tij forcat ruse kanë pasur mesatarisht në tetor “çdo ditë” nga 1500 të vdekur apo të lënduar. Ai ka thënë se Rusia ka humbur rreth 700 mijë ushtarë që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022.
Rusia nuk publikon shifrat e ushtarëve që ka humbur në luftë, por zyrtarët perëndimorë kanë thënë se Rusia ka pësuar humbjet më të rënda muajin e kaluar.
Radakin ka thënë se rusët po paguajnë “çmim të madh” për pushtimin e Vladimir Putinit.
“Rusia është afër të arrijë në rreth 700 mijë njerëz të vrarë apo plagosur – është dhembje dhe vuajtje e madhe për popullin rus për shkak të ambicieve të Putinit”, ka thënë Radakin.
Ai ka thënë se nuk mund të mohohet se Rusia po bën përparim në territor.
“Nuk ka dyshim që Rusia po bën përparim taktik dhe territorial dhe po e vë në presion Ukrainën”, ka thënë ai.
Por, ai ka thënë se Rusia po i adreson mbi 40 për qind të shpenzimeve të saja publike për mbrojtje dhe siguri, duke shkaktuar ngarkesë të madhe.
Me zgjedhjen e Donald Trumpit si president në SHBA, po druhet se Ukrainës mund t’i duhet ta dorëzojë një pjesë të territorit për t’i dhënë fund luftës.
Por, Radakin thotë se “aleatët perëndimorë do të jenë të vendosur për aq kohë sa duhet” për ta përkrahur Ukrainën.