Lufta në Ukrainë

Rusia godet Kharkivin me dronë gjatë natës, 4 të vdekur e 12 të plagosur

Sulmet në Ukrainë

Rusia godet Kharkivin me dronët Shahed

Foto: Associated Press

Forcat ruse kanë lëshuar një varg dronësh Shahed në drejtim të qytetit Kharkiv të Ukrainës gjatë natës të së mërkurës, duke lënë të vdekur të paktën katër e të plagosur 12 persona, ka bërë të ditur të enjten guvernatori rajonal, Oleh Syniehubov.

Autoritetet ukrainase kanë thënë se forcat e saj kanë rrëzuar 11 nga 20 dronët që Rusia kishte lëshuar në drejtim të Ukrainës, raportoi AP. 

Tre shpëtues në Kharkiv u vranë kur Rusia goditi një ndërtesë shumëkatëshe të dëmtuar në një sulm të mëparshëm, kanë thënë autoritetet lokale. Gjashtë persona u plagosën në atë vend. Një tjetër ndërtesë 14-katëshe u godit nga një dron, duke lënë të vdekur një grua 69-vjeçare.

Kharkivi ka qenë vazhdimisht cak i forcave ruse në javët e fundit. Qyteti lindor është afër kufirit me Rusinë dhe është goditur edhe nga raketat balistike edhe nga dronët. 

Një sulm masiv që kishte për qëllim shkatërrimin e infrastrukturës energjetike të Ukrainës ka lënë në terr pjesën më të madhe të Kharkivit.