Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka thënë se SHBA-ja po përpiqet të përcaktojë se për çfarë do të bien dakord Rusia dhe Ukraina, ndërsa përpjekjet për një marrëveshje paqeje po intensifikohen.
Duke folur për Fox News Channel, në një intervistë që është transmetuar të martën, Rubio ka thënë se Rusia dhe Ukraina po luftojnë për një hapësirë prej 30 deri në 50 kilometrash në rajonin e Donetskut në Ukrainën lindore.
“Ajo për të cilën ata po luftojnë tani është një hapësirë prej rreth 30 deri në 50 kilometrash në 20% të rajonit të Donetskut që ka mbetur. Dhe kështu, ajo që ne jemi përpjekur të bëjmë, dhe mendoj se kemi bërë njëfarë progresi, është të kuptojmë se me çfarë mund të jetojnë ukrainasit që u jep atyre garanci sigurie për të ardhmen, që ata nuk do të pushtohen më kurrë, që u lejon atyre jo vetëm të rindërtojnë ekonominë e tyre, por edhe të përparojnë si vend, të jenë një vend që ka një ekonomi që rritet", ka thënë Rubio.
Sekretari i shtetit ka shtuar gjithashtu se SHBA-ja po përpiqet të përcaktojë se për çfarë do të bjerë dakord Rusia.
Zyrtarë nga SHBA-ja, Ukraina dhe Rusia kanë zhvilluar një sërë takimesh në javët e fundit me synimin për të negociuar një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës gati 4-vjeçare.