Çmimet e naftës u rritën për më shumë se 1 për qind të enjten, duke u rikthyer nga rënia e një dite më parë, pas raportimeve se presidenti kinez, Xi Jinping, ka biseduar në telefon me presidentin amerikan, Donald Trump.
Agjencia kineze e lajmeve “Xinhua” ka raportuar se bisedimet u mbajtën me kërkesën e Trumpit, pa ofruar detaje shtesë mbi bisedën e dy liderëve.
Ulja e çmimit për 1% ndodhi të mërkurën, pasi të dhënat zyrtare treguan se rezervat e benzinës dhe distilimit në SHBA u rritën më shumë se sa pritej, duke reflektuar mungesën e kërkesës në ekonominë më të madhe të botës.
“Ngjarjet gjeopolitike dhe zjarret në Kanada, që kërcënojnë ta reduktojnë prodhimin e naftës po ofrojnë mbështetje për çmimet, pavarësisht një tregu të mbifurnizuar në gjysmën e dytë të vitit me rritje të pritshme të prodhimit të OPEC+”, ka thënë analisti i PVM, Tamas Varga.
Ndërkaq, Arabia Saudite, eksportuesi më i madh i naftës në botë, uli çmimet e korrikut për blerësit aziatikë të naftës së papërpunuar në pothuajse nivelin më të ulët në dy muaj.