Botë

Putini tallet me bisedimet e paqes të Ukrainës në Zvicër

Vladimir Putin

Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është tallur të enjten me një rund të planifikuar të bisedimeve të paqes të Ukrainës në Zvicër, duke paralajmëruar se Moska nuk do të pranojë asnjë plan të detyrueshëm që do të shpërfill interesat e saj.

Qeveria zvicerane ka thënë të mërkurën se do të mbajë një konferencë të nivelit të lartë në qershor, e cila pritet të ndihmojë në hartimin e një rrugë drejt paqes në Ukrainë, pas më shumë se dy vjetësh lufte atje. Qeveria ka thënë se shpreson se Rusia do t’i bashkohet procesit një ditë, raporton AP.

Mirëpo Putini ka thënë se Rusia nuk është ftuar që t’i bashkohet bisedimeve të qershorit, derisa ka theksuar se një proces i paqes nuk mund të ndodhë pa Rusinë.

“Ata nuk na kanë ftuar ne atje. Mbi të gjitha, ata mendojnë se ne nuk kemi se çfarë të bëjmë atje, por njëkohësisht thonë se është e pamundur të vendoset diçka pa ne. Kjo do të ishte qesharake nëse nuk do të ishte aq trishtuese”, ka thënë Putini. 

Rusia e ka injoruar formulën e paqes të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, e cila kërkon që Moska t’i largojë trupat, të paguajë kompensim për Ukrainën dhe të përballet me tribunal ndërkombëtar për veprimet e saj. 

Duke folur gjatë një takimi të së enjtes me presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko në Moskë, Putini ka thënë se Rusia është e hapur për negociata, por asnjëherë nuk do të pranojë “ndonjë plan që nuk ka asgjë të bëjë me realitetin”. 

Putini vazhdimisht e ka përsëritur se i ka dërguar trupat në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, për t’i mbrojtur interesat e Rusisë dhe për të parandaluar Ukrainën që të paraqes kërcënim për Rusinë, duke iu bashkuar NATO-s.

Kievi dhe aleatët e saj e kanë denoncuar ofensivën ushtarake të Rusisë si një akt agresioni të paprovokuar.