Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se eskalimi i situatës në Lindjen e Mesme mund të çojë në “pasoja katastrofale”, gjatë një bisede telefonike që ka zhvilluar me homologun e tij iranian, Ebrahim Raisi.
Kremlini ka thënë se gjatë bisedës, Putini ka thënë se shpreson që të gjitha palët do të tregojnë “vetëpërmbajtje” dhe “do të parandalojnë një rund të ri të konfrontimit i cili do të shkaktonte pasoja katastrofale për të gjithë rajonin”, raporton BBC.
Rusia dhe Irani janë aleatë të ngushtë.
Rusia besohet se është duke bashkëpunuar me Iranin për të përmirësuar sistemet e saj moderne të mbrojtjes ajrore dhe avionët luftarakë, në këmbim të mbështetjes ushtarake që Teherani i ka dhënë Moskës në luftën e saj me Ukrainën.
Irani lansoi mbi 300 dronë e raketa në drejtim të Izraelit të shtunën mbrëma, në një sulm hakmarrës. Izraeli ka thënë se 99 për qind të tyre i shkatërroi.
Liderët botërorë kanë kërkuar nga Izraeli që të mos hakmerret pas këtij sulmi nga Irani, që e dërgoi Lindjen e Mesme më afër një lufte rajonale.
Sulmi iranian ka ndodhur më pak se dy javë pas një sulmi të dyshuar izraelit në konsullatën e Iranit në Siri, që la të vdekur dy gjeneralë iranianë.