Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka ftuar Ukrainën të marrë pjesë në “bisedime direkte” më 15 maj, disa orë pasi liderët evropianë i kanë bërë thirrje Moskës ta pranojë një armëpushim 30-ditor, transmeton “BBC”. 

Në një adresim të rrallë televiziv në orët e vonshme të së shtunës, Putin tha se Rusia po kërkon “negociata serioze” që kanë synim ecjen “drejt një paqeje të fortë dhe të qëndrueshme”. 

Të shtunën, liderët e Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë udhëtuan në Kiev për t’i bërë presion Rusisë që ta pranojë një armëpushim të pakushtëzuar, duke filluar nga dita e hënë. 

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska duhet “të mendojë mirë këtë” – por paralajmëroi “se tentimi për të na vënë në presion është i padobishëm”. 

Në deklaratën e tij, Putin tha se nuk mund të përjashtojë mundësinë që bisedimet mund të rezultojnë që Rusia dhe Ukrainë të arrijnë një armëpushim të ri. Por, ai nuk iu adresua thirrjes për një armëpushim 30-ditor të propozuar. 

Putin ka propozuar që bisedimet direkte mes Rusisë dhe Ukrainës të mbahen në Stamboll dhe se ai do të flasë me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan të dielën për të diskutuar për detajet. 

Kievi zyrtar nuk ka reaguar ndaj kësaj ftese. 

Emisari i SHBA-së për Ukrainën: Së pari armëpushim pastaj bisedime për paqe

11 o. më parë / 11 maj 2025 15:32
Keith Kellogg

Photo: Associated Press

Emisari i SHBA-së për Ukrainën, Keith Kellogg, ka thënë se së pari duhet të vijë një armëpushim i pakushtëzuar 30-ditor mes Rusisë dhe Ukrainës dhe më pas të zhvillohen diskutime gjithpërfshirëse për paqe, shkruan "BBC". 

Ai ka folur pas propozimit të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për bisedime direkte me Ukrainën më 15 maj për të arritur një marrëveshje paqeje. 

Kellogg duke komentuar, në platformën “X” kryeministrin e Zelandës së Re, Christopher Luxon, i cili mbështeti armëpushimin 30-ditor,tha: "Edhe kryeministri i Zelandës së Re e kupton këtë. Siç e ka thënë vazhdimisht presidenti Trump, ndaloni vrasjet!! Së pari një armëpushim 30-ditor i pakushtëzuar dhe, gjatë tij, të kalohet në diskutime gjithpërfshirëse për paqe. Jo anasjelltas”. 

Putini e kishte refuzuar propozimin për armëpushimin 30-ditor, por propozoi bisedime direkte me Ukrainën më 15 maj në Stamboll. 

E kancelari gjerman Friedrich Merz tha se oferta e Putinit për bisedime direkte me Ukrainën është “larg nga të qenit mjaftueshëm”. 

Merz, në platformën “X”, tha se gatishmëria e Rusisë për të biseduar është “shenjë e mirë”, por se liderët evropianë presin që Moska zyrtare të pajtohet për armëpushim. 

“Së pari armët duhet të heshtin para se të fillojnë bisedimet”, ka shkruar Merz. 
 

Turqia e gatshme të presë negociatat Rusi-Ukrainë, thotë Erdogan

13 o. më parë / 11 maj 2025 13:34
Recep Tayyip Erdogan

Photo: Associated Press

Turqia është e gatshme të presë bisedimet për një armëpushim dhe paqe të përhershme midis Rusisë dhe Ukrainës, i ka thënë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan homologut të tij francez, Emmanuel Macron në një telefonatë të dielën, ka njoftuar zyra e Erdoganit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka propozuar herët të dielën bisedime të drejtpërdrejta me Ukrainën në Stamboll me qëllim përfundimin e luftës, ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se Kievi është i gatshëm të bisedojë, por Moska duhet së pari të pajtohet për një armëpushim, raporton Reuters.

Propozimi i Putinit për bisedime të drejtpërdrejta me Ukrainën erdhi disa orë pasi fuqitë e mëdha evropiane, përfshirë Francën, kërkuan në Kiev që Putini të pajtohej me një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor ose do të përballet me sanksione të reja "masive".

Erdogan i ka thënë Macronit në një telefonatë se "një pikë kthese historike" është arritur drejt përfundimit të luftës dhe se duhet shfrytëzuar mundësia, sipas një leximi nga presidenca turke.

Ai ka thënë se Turqia është e gatshme të jepë çdo kontribut për të siguruar që një armëpushim dhe paqe e përhershme mund të arrihet midis Rusisë dhe Ukrainës, duke përfshirë pritjen e negociatave, sipas leximit.

Anëtari i NATO-s, Turqia ka mbajtur lidhje të përzemërta me Kievin dhe Moskën që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022. Ajo ka shprehur mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës dhe i ka ofruar ndihmë ushtarake, ndërkohë që kundërshton sanksionet ndaj Rusisë.

Turqia gjithashtu ka pritur negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës në mars të vitit 2022.

Projekt-marrëveshjet e diskutuara në Stamboll atëherë synonin ta detyronin Ukrainën të hiqte dorë nga ambiciet e saj në NATO dhe të pranonte statusin e përhershëm neutral dhe pa armë bërthamore, në këmbim të garancive të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Britania dhe Franca, pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Macroni: Së pari armëpushim pastaj bisedime Rusi-Ukrainë

16 o. më parë / 11 maj 2025 10:45
Emmanuel Macron

Photo: Associated Press

Presidenti francez, Emmanuel Macron, u është përgjigjur komenteve të mëparshme të Zelenskyt, duke thënë se "duhet një armëpushim tani, në mënyrë që bisedimet të mund të fillojnë".

Macroni ka thënë se ai dhe liderë të tjerë evropianë, së bashku me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, propozuan qartë të shtunën një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor që fillon të hënën.

Ai ka thënë se Zelensky ka rënë dakord me të dhe vendet presin "një përgjigje po aq të qartë nga Rusia".

“Nuk mund të ketë negociata ndërkohë që flasin armët”, ka deklaruar Macron. 

Trumpi pas njoftimit të Putinit: Potencialisht ditë e madhe për Rusinë dhe Ukrainën

17 o. më parë / 11 maj 2025 10:06
donald trump

Photo: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se ftesa e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për bisedime direkte me Ukrainën për armëpushim, nënkupton potencialisht “një ditë të madhe për Rusinë dhe Ukrainën”. 

Në një postim në “Truth Social”, presidenti amerikan tha: “Mendoni për qindra e mijëra jetë që do të shpëtohen, pasi shpresojmë që më në fund të përfundojë kjo ‘gjakderdhje’. Do të jetë një botë e re dhe shumë më e mirë dhe do të vazhdojmë të punojmë me dyja palët për t’u siguruar që kjo të ndodhë”. 

Putin ka bërë thirrje për bisedime direkte me Ukrainën më 15 maj në Stamboll. 

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka pranuar ftesën por ka thënë se shpreson që Rusia të nisë armëpushimin 30-ditor të pakushtëzuar, duke filluar nga dita e hënë. Për një armëpushim të tillë kanë bërë thirrje liderët evropianë që gjenden në vizitë në Kiev.

Zelensky thotë se Ukraina është e gatshme të takohet me Putinin për bisedime për armëpushim

17 o. më parë / 11 maj 2025 09:58
Volodymyr Zelensky

Photo: Associated Press

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka thënë se Ukraina është e gatshme të takohet me Rusinë për bisedime për armëpushim, raporton "BBC". 

Pa iu përgjigjur drejtpërdrejt ftesës së presidentit rus Vladimir Putin për bisedime në Stamboll më 15 maj, Zelensky tha: “Është shenjë pozitive që rusët më në fund kanë nisur të shqyrtojnë fundin e luftës. Gjithë bota ka qenë duke pritur për një kohë të gjatë. Dhe hapi i parë që vërtetë t’i jepet fund çdo lufte është një armëpushim”. 

Zelensky ka thënë se pret që Rusia ta konfirmojë një armëpushim – të plotë, qëndrueshëm dhe besueshëm – duke nisur nga 12 maj dhe se Ukrainë është e gatshme të takohet. 

Liderët evropianë gjenden në Kiev për t’u takuar me Zelenskyn dhe po bëjnë thirrje për një armëpushim 30-ditor të pakushtëzuar, duke filluar nga e hëna.