Rusi

Putin: Nuk kemi plane për ta sulmuar ndonjë shtet të NATO-s

Vladimir Putin

Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia nuk ka plane që ta sulmojë ndonjërin nga shtetet anëtare të NATO-s, si Poloninë, vendet baltike apo Çekinë, mirëpo ka shtuar se nëse Perëndimi e furnizon Ukrainën me F-16, avionët do të sulmohen nga forcat ruse.

Pushtimi rus i Ukrainës që ka nisur në shkurt të vitit 2022 ka shkaktuar krizë të thellë në marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit, që nga Kriza e Raketave kubane në vitin 1962, raportoi Reuters.

Duke folur të mërkurën para pilotëve ushtarakë rusë, Putini ka thënë se aleanca e udhëhequr nga SHBA-ja është zgjeruar në drejtim të Rusisë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, mirëpo ka theksuar se Rusia nuk planifikon ta sulmojë ndonjë shtet të NATO-s.

“Nuk kemi qëllime agresive ndaj këtyre shteteve. Ideja se ne do të sulmojmë disa shtete të tjera-Poloninë, shtetet Baltike dhe Republikën Çeke, është totalisht pa sens, këto janë gjepura”, ka thënë Putini.

Kremlini i cili e akuzon SHBA-në se po lufton kundër Rusisë duke e mbështetur Ukrainën me para, armë dhe inteligjencë, ka thënë se marrëdhëniet me Washingtonin nuk kanë qenë asnjëherë më keq. 
I pyetur lidhur me avionët F-16 të cilët raportohet se Perëndimi ka premtuar t’i dërgojë në Ukrainë, Putini ka thënë se ato nuk do ta ndryshonin situatën. 

“Nëse ata e furnizojnë Ukrainën me F-16, dhe flasin për këtë dhe fillojnë t’i trajnojnë pilotët, kjo nuk do ta ndryshojë situatën në fushën e betejës. Ne do t’i shkatërrojmë ata avionë, ashtu siç i shkatërrojmë tanket dhe pajisjet e tjera luftarake”, ka deklaruar presidenti rus.