Gjenerali rus Mikhail Gudkov, i cili komandonte brigadën e këmbësorisë detare të flotës së paqësorit dhe së fundmi ishte emëruar zëvendëskomandant i Marinës ruse, u vra në rajonin e Kurskut, në perëndim të Rusisë.
Sipas mediave ruse, Gudkov u vra si pasojë e një sulmi raketor nga forcat ukrainase që goditën selinë e komandës. BBC-ja raporton se ai është gjenerali i 11-të rus që vritet që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila tashmë ka hyrë në vitin e katërt.
Gjenerali Gudkov dhe disa oficerë të tjerë të lartë u vranë natën e së martës, kur forcat ukrainase lëshuan disa raketa mbi selinë e Brigadës së 155-të të Këmbësorisë Detare – një njësi që Gudkovi e kishte komanduar para se të rritej në detyrë nga presidenti rus Vladimir Putin në pranverën e këtij viti.
“Shtabi ndodhej në një shtëpi private që u godit nga raketat e sistemit HIMARS”, raportoi kanali rajonal rus në Telegram, Pepel, duke saktësuar se sulmi ndodhi në vendbanimin Korenevo, me rreth gjashtë mijë banorë.
Pas emërimit si zëvendëskomandant i Marinës, Gudkovi kishte për detyrë të koordinonte njësitë e këmbësorisë detare dhe shpesh i vizitonte trupat në vijën e frontit. Të martën, në sheshin kryesor të qytetit Vladivostok u ngrit një monument i përkohshëm në nder të tij dhe ushtarëve të rënë.
Në muajin mars, presidenti Putin e kishte përshkruar Gudkovin si komandantin e njërës nga njësitë më të mira të ushtrisë ruse. Brigada e 155-të kishte marrë pjesë në betejat në periferi të Kievit në fillim të pushtimit dhe më vonë në rrethimin dhe pushtimin e Mariupolit në juglindje të Ukrainës. Kjo njësi ka pësuar humbje të mëdha në betejat për qytetin Suja, në rajonin e Kurskut.
Vdekja e Gudkovit vjen vetëm pak muaj pas vrasjes së gjeneralëve të tjerë të lartë rusë. Në prill të këtij viti, zëvendësshefi i Drejtorisë Operative të Shtabit të Përgjithshëm rus, gjenerallejtënant Jaroslav Moskalik, u vra nga një eksploziv i vendosur në një veturë në qytetin Balashikha, pranë Moskës. Në dhjetor të vitit të kaluar, shefi i mbrojtjes radiologjike, kimike dhe biologjike të ushtrisë ruse, Igor Kirilov, u vra në një atentat në Moskë – një ditë pasi Ukraina e kishte shpallur të dyshuar për krime lufte. Vdekja e këtyre dy gjeneralëve u cilësua si ndër më të rëndësishmet në radhët e oficerëve të lartë të vrarë në këtë luftë.
Në gusht të vitit të kaluar, forcat ukrainase realizuan inkursion të papritur në rajonin kufitar të Kurskut, duke marrë nën kontroll rreth 1,400 kilometra katrorë dhe afërsisht 100 vendbanime, përfshirë qytetin Suja – një ndërhyrje e tillë e trupave të huaja në territorin rus nuk kishte ndodhur që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në fund të prillit, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, deklaroi se forcat ukrainase ishin dëbuar plotësisht nga rajoni – pretendim që u mohua nga Kievi. Komandanti i forcave ukrainase, gjenerali Oleksandr Sirski, ka thënë muajin e kaluar se Ukraina ende kontrollon rreth 90 kilometra katrorë në rajonin e Kurskut.