Policia në Stamboll ka përdorur plumba gome e gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën protestuese të hënën, që pretendonte se një revistë satirike ka publikuar një karikaturë të profetit Muhamed.
Përleshja ndodhi pasi prokuroria në Stamboll urdhëroi arrestimin e redaktorëve të revistës “LeMan”, me arsyetimin se kanë publikuar një karikaturë që “publikisht ka fyer vlerat fetare”.
Tuncay Akgun, kryeredaktor i revistës, ka thënë se imazhi është keqinterpretuar.
“Kjo karikaturë në asnjë mënyrë s’është karikaturë e profetit Muhamed”, i ka thënë ai Agence France-Presseit. “Në këtë vepër, emri i një myslimani që është vrarë nga bombardimet në Gazë është imagjinuar sikur të jetë Muhamed. Më shumë se 200 milionë njerëz në botën islamike quhen Muhamed. S’ka të bëjë asgjë me profetin Muhamed. S’do të ndërmerrnim kurrë një rrezik të tillë”.
Me të dalë artikulli, dhjetëra protestues të nervozuar sulmuan një kafene që frekuentohet nga stafi i “LeManit” në Stamboll dhe u përplasën me policinë. Turma u rrit shpejt në 250-300 njerëz.
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, ka shkruar në X se policia ka arrestuar përgjegjësin për imazhin si dhe dizajnerin grafik të “LeManit”.
“Personi D.P. që ka bërë këtë vizatim të ndyrë është kapur dhe është në paraburgim”, ka shkruar ai. “Këta individë të paturpshëm do të mbahen përgjegjës para ligjit”.
Sipas raportimeve, janë arrestuar edhe kryeredaktori dhe redaktori përgjegjës i revistës. Kjo revistë në një postim në X, ka mbrojtur karikaturistin dhe ka thënë se është keqinterpretuar qëllimshëm për të nxitur provokime. “Le Man” u ka kërkuar falje lexuesve për ngjarjen.
E themeluar më 1991, “LeMan” është revistë e njohur për satirën politike dhe për kohë të gjatë ka qenë halë në sy për konservatorët, veçanërisht pasi mbështeti publikisht revistën “Charlie Hebdo” të Francës, në të cilën u vranë 12 persona nga sulmet pas publikimit të karikaturave të profetit Muhamed.