Liderët perëndimorë e shohin planin amerikan për paqe në Ukrainë si “bazë të mirë”, por me mangësi, pasi favorizon kërkesat e Rusisë, përfshirë dorëzimin e territorit dhe kufizimin e ushtrisë ukrainase. Aleatët evropianë të Ukrainës kanë thënë se kufijtë s’duhen ndryshuar me forcë dhe kërkojnë garanci të forta për Kievin. Të dielën zyrtarë ukrainas dhe evropianë do të takohen me amerikanët në Gjenevë të Zvicrës për bisedime mbi planin
Liderët perëndimorë, aleatë të Ukrainës, kanë shprehur shqetësime të shtunën për planin e paqes të hartuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilin e shohin si favorizues për Rusinë edhe pse ajo ka pushtuar fqinjin e saj. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ukrainasit “do ta mbrojnë gjithmonë” shtëpinë e tyre.
Një delegacion ukrainas, i mbështetur nga përfaqësues nga Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, po përgatitet për bisedime të drejtpërdrejta me Washingtonin në Zvicër të dielën.
Plani i 28-pikësh i hartuar nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë ka nxitur alarm në Kiev dhe kryeqytete evropiane, teksa Zelensky ka paralajmëruar se shteti i tij po vihet përballë zgjedhjes së një opsioni që të ruajë të drejtën e vet sovrane apo të ruajë përkrahjen e domosdoshme amerikane.
Duke folur para gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë të shtunën, presidenti Donald Trump ka thënë se propozimi amerikan “nuk ishte oferta e tij e fundit”.
“Duam të arrijmë paqen. Është dashur të ndodhte shumë kohë më parë. Lufta në Ukrainë me Rusinë nuk është dashur të ndodhte kurrë”, ka thënë Trumpi. “Në njërën apo tjetrën mënyrën, ne duhet t’i japim fund”.
Plani amerikan parasheh që Ukraina të dorëzojë territor te Rusia, diçka që në vazhdimësi Kievi e ka përjashtuar si mundësi. Po ashtu aty parashihet që edhe ushtria të zvogëlojë kapacitetet dhe që të bllokohet rruga e anëtarësimit në NATO. E kjo aleancë ushtarake është njoftuar të shtunën nga zyrtarë amerikanë se synojnë që ta shtyjnë Zelenskyy ta pranojë planin, nën kërcënimin që në rast se këtë nuk e bën, atëherë Kievi do të përballet me një marrëveshje shumë më të keqe. Plani përmban shumë pika të kërkuara kamotshëm prej Moskës, ndërsa ofron garanci të kufizuara të sigurisë për Kievin.
Të shtunën, liderë të Bashkimit Evropian, të Kanadasë dhe Japonisë lëshuan një deklaratë të përbashkët me të cilën mirëpritën përpjekjet e SHBA-së për paqen, por kundërshtuan disa prej parimeve kryesore të planit.
“Jemi të gatshëm të angazhohemi në mënyrë që të sigurohemi se një plan i paqes është i qëndrueshëm. E kemi të qartë në parim se kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë. Jemi gjithashtu të shqetësuar nga kufizimet e propozuara për forcat e armatosura të Ukrainës, të cilat do ta linin Ukrainën të cenueshme ndaj sulmeve të ardhshme”, thuhet në deklaratën e përbashkët të liderëve evropianë e perëndimorë.
Në këtë deklaratë, të nënshkruar nga udhëheqës të Kanadasë, Finlandës, Francës, Irlandës, Italisë, Japonisë, Holandës, Spanjës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë dhe Norvegjisë, si dhe dy zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, liderët kanë shtuar po ashtu se çdo element i planit që lidhet me BE-në dhe me NATO-n duhet të ketë nevojë për pajtim të tyre.
Liderët e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar u takuan gjatë ditës në margjina të samitit të G20-s në Johannesburg të Afrikës së Jugut për të diskutuar për mënyrat se si të përkrahet Kievi, ka bërë të ditur një person që ishte në dijeni për çështjen e që ka folur për AP-në në kushte anonimiteti.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, u ka thënë gazetarëve në samit se “luftërat nuk mund të përfundojnë nga fuqitë e mëdha mbi kokat e vendeve të prekura” dhe ka këmbëngulur se Kievi ka nevojë për garanci të forta.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se plani amerikan i paqes për Ukrainën “kërkon konsultime më të gjera” sepse “përcakton shumë gjëra që përfshijnë evropianët”, përfshirë asetet e ngrira të Rusisë dhe pranimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian. Çështjet e sigurisë së Evropës duhet të merren në konsideratë ka thënë Macroni duke shtuar se: “Ne duam paqe të qëndrueshme”.
Merzi dhe Macroni kanë thënë se emisarë nga Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian do t’iu bashkohen negociatorëve ukrainas kur të takohen me delegacionin amerikan në Gjenevë të dielën për ta diskutuar propozimin e Washingtonit. Zelensky e ka konfirmuar takimin të shtunën, pasi Trumpi e caktoi të enjten e ardhshme si afat të fundit për Kievin që t’i japë përgjigje planit.
Liderët evropianë kanë paralajmëruar tash e sa kohë kundër ngutisë për një marrëveshje paqe, duke e parë në rrezik të ardhmen e tyre dhe kanë këmbëngulur të konsultohen në përpjekjet për paqe.
“Shumë larg rezultatit të mirë”
Aleatët kyç të Ukrainës kanë përsëritur rezervat e tyre për gatishmërinë e Kremlinit që t’i jepet fund luftës.
“Rrallë Rusia pretendon se është serioze për paqen, por veprat e tyre nuk u shkojnë kurrë përshtati fjalëve”, ka thënë kryeministri britanik, Keir Starmer, para samitit të G20-tës, një ditë pasi sulmet ruse vranë dhjetëra civilë në Ukrainën perëndimore. Starmeri më pas ka shtuar se këshilltari i tij i sigurisë kombëtare do të jetë mes të dërguarve perëndimorë në Gjenevë.
Liderët evropianë e kanë akuzuar Rusinë vazhdimisht për zvarritje të përpjekjeve diplomatike me shpresën e mposhtjes së forcave ukrainase në fushëbetejë. Kievi ka pranuar në vazhdimësi propozimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për armëpushim sivjet, ndërsa Moska është përpjekur të kërkojë kushte më të favorshme.
“Fundi i luftës mund të arrihet vetëm me pajtimin e pakushtëzuar të Ukrainës”, ka thënë Merzi gjatë një konference informative në samit, duke shtuar se i ka thënë Trumpit të premten në një telefonatë të gjatë se Evropa duhet të jetë pjesë e çdo procesi paqeje dhe se Rusia më parë nuk i ka mbajtur premtimet e saj për ta respektuar integritetin territorial të Ukrainës. “Nga perspektiva ime, ka ende një shans për t’i dhënë fund luftës”, ka shtuar ai. “Por ne ende jemi shumë larg nga rezultati i mirë për të gjithë”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se parimi kyç për aleatët evropianë të Kievit është “asgjë për Ukrainën, pa Ukrainën”.
Ukraina kujton urinë e epokës sovjetike
Në një video të publikuar të shtunën, presidenti ukrainas ka thënë se përfaqësuesit e shtetit të tij në Gjenevë do të dinë “si t’i mbrojnë interesat kombëtare ukrainase dhe saktësisht se çka duhet për ta ndalur Rusinë që të kryejë një tjetër pushtim”. “Paqja e vërtetë bazohet gjithmonë në siguri dhe drejtësi”, ka thënë Zelensky.
Nëntë zyrtarë pritet të marrin pjesë në bisedime, përfshirë shefin e stafit të Zelenskyt, Andrii Yermak dhe top-emisarin Rustem Umerov, sipas një deklarate të publikuar nga uebfajqa presidenciale e Ukrainës, që po ashtu ka bërë të ditur se negociatorët janë të autorizuar edhe për të t’u marrë direkt me Rusinë.
Të shtunën, Ukraina ka përkujtuar “urinë e madhe” që e vendosi udhëheqësi sovjetik Josef Stalin në fillim të viteve 1930, e që çoi në miliona vdekje.
“Të gjithë e dimë sa dhe përse miliona njerëz tanë vdiqën, vdiqën nga uria dhe miliona nuk lindën kurrë. Edhe sot ne po mbrohemi përsëri kundër Rusisë, që nuk ka ndryshuar dhe po sjell përsëri vdekje”, ka shkruar ai në një postim në Telegram duke shënuar Ditën Përkujtimore të Holodomorit. “Ne e kemi mbrojtur, e mbrojmë dhe do ta mbrojmë gjithmonë Ukrainën. Sepse vetëm këtu është shtëpia jonë. Dhe në shtëpinë tonë, Rusia definitivisht nuk do të jetë sundimtare”, ka shtuar ai.