Djali i Goodwinit është në mesin e 1000 personave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ka vdekur nga sjelljet e dhunshme të policisë e që shpesh rezultojnë me fatalitet, sipas hetimit nga “Associated Press”
(AP) - Momenti në të cilin Karen Goodwin më së shumti ndien prezencën e djalit të saj, është kur hiri i tij qëndron mbi tavolinë, afër një ore me akrepa të bllokuar përgjithmonë në 12:35, koha kur mjeku e kishte shpallur të vdekur.
Ajo shpesh e ka gjetur veten duke folur me të kur ishte duke fshirë dhomën, bisedë qetësuese por e njëanshme që e ka ndihmuar atë për ta mbajtur shpirtin e tij gjallë. Ajo i ka treguar atij shpesh gjëra nga jeta e përditshme.
“Do të doja të ishe këtu”, ka thënë ajo.
Austin Hunter Turner ka vdekur në vitin 2017, natë të cilën Goodwini e rikujton shpesh, duke u munduar të kuptojë se çfarë kishte ndodhur. I kujtohej nxitimi për në apartamentin e tij, paniku që ka pasur kur nuk e ka dëgjuar duke marrë frymë dhe kaosi i shkaktuar nga ndihmësmjekët. Ajo ndihej e pafuqishme, teksa lutej që ai të jetonte.
Emocionet e saj kanë qenë në konflikt. Ndiente turp që djali i saj vdiq prej mbidozës nga droga. Ndiente dyshim kur kujtimet e saj ndryshonin nga narrativa zyrtare e policisë. Kohëve të fundit ndien zemërim. Ajo tani beson se kanë kaluar tërë këto vite duke jetuar me gënjeshtër.
Djali i Goodwinit është në mesin e 1000 personave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë vdekur nga sjelljet e dhunshme të policisë e që shpesh rezultojnë me fatalitet, sipas hetimit nga “Associated Press”.
Goodwini dhe familja e saj janë shembull i asaj që mund të ndodhë nëse masat e policisë tejkalojnë kufirin: Mund të humbë e vërteta. Sikur familja Goodwin, qindra familje jetojnë me narrativa jo të plota dhe të gabuara rreth vdekjes së familjarëve të tyre.
Nata e tmerrshme
Goodwini ishte e shtrirë në shtrat, kur kishte rënë telefoni. Ishte e dashura e djalit të saj, Michelle Stowers. Ajo ishte shumë e shqetësuar. Turneri ishte rrëzuar në dyshemenë e kuzhinës.
“Ai nuk është duke lëvizur”, i ka thënë Stowersi. “Nuk mendoj se është duke marrë frymë. Çfarë të bëj?”
Nënës së tij i ishte rënduar zemra.
“Thirre 911. Jam rrugës”, i ka thënë Goodwini, duke menduar më të keqen.
A ishte gjallë djali i saj? I vdekur? Ai kishte pasur disa probleme, por nuk ishin serioze.
Teksa kishte nxituar për në apartamentin e Turnerit në gusht të vitit 2017, Goodwini kishte telefonuar dhe burrin e saj, Brian, dhe djalin e saj të madh, Dustin. Gjithashtu kishte telefonuar motrën, por kishte mundur t’i thoshte vetëm: “Lutu për Hunterin”.
Kur kishte arritur në apartament, e kishte gjetur të birin duke gulçuar për ajër në dyshemenë e kuzhinës. Sytë e tij ishin bosh dhe i dridhej trupi. I dilte shkumë nga goja. Kur e kishte parë në atë gjendje, nëna kishte menduar se ai do të vdiste aty. Një ndihmësmjek kishte arritur në ngjarje.
“Hunter, jam nëna”, i kishte thënë ajo, duke ia mbajtur maskën e oksigjenit në fytyrë.
Dera kryesore ishte hapur, policët dhe zjarrfikësit ishin futur në apartament. Mjekët kishin kërkuar ndihmë shtesë pasi kishin menduar se ai ishte duke rezistuar.
Ndërsa dhoma ishte e mbushur me ekipe mjekësore dhe policore, Goodwini ndihej paksa e qetësuar. Familja e tyre gjithmonë i ka admiruar ndihmësmjekët dhe policët, duke i konsideruar heronj. Ajo e kishte ditur se ata do të bënin gjithçka për ta shpëtuar djalin e saj.
Oficerët e kishin mbajtur atë të kthyer nga dyshemeja. Pas disa minutave, ai ishte lidhur në një barelë, përsëri me fytyrë teposhtë.
Goodwini i kishte ndjekur ata deri te ambulanca. Djali i saj dukej i pavetëdijshëm, me një maskë të çuditshme të vendosur në kokën e tij. Këmbët e tij ishin të lidhura. Ajo ishte ndjerë e pafuqishme, ndërsa e shihte djalin e saj në atë gjendje.
“Fëmija im duhet të pushojë tani”
Goodwini e kishte ndjekur ambulancën deri te Qendra Mjekësore Rajonale e Bristolit.
Pas një pritjeje të gjatë, mjeku i emergjencës i kishte thënë se Turneri kishte pësuar vdekje klinike porse po tentonin sërish ta kthenin në jetë.
Disa hapa më poshtë ajo kishte parë ekipin e mjekëve dhe infermierëve duke u përpjekur t’ia kthejnë të rrahurat e zemrës. Ajo kishte shikuar fytyrën e pajetë të djalit të saj, teksa mjekët përpiqeshin ta rikthenin në jetë me një defibrilator. Asgjë nuk funksiononte. Djali i saj nuk ishte përgjigjur ndaj zërit të saj ose masave për shpëtimin e jetës. Kur ia kishte prekur gjoksin, e kishte parë se mjekët i kishin thyer gjithçka duke u përpjekur ta shpëtonin. Ajo e kishte ditur se çfarë duhej të bënte.
“Mjaft më”, u kishte thënë ajo. “Fëmija im ka nevojë të pushojë tani”.
E ulur në karriget e dhomës së pritjes së spitalit, ajo ishte menduar: “Pse djali im? Ai ishte kaq bujar, i sjellshëm. Të gjithë e donin atë”.
Turneri i kishte pasur pasion motorët e shpejtë dhe ka pasur një Suzuki SV650 që arrinte 150 metra në orë.
Ai dilte në xhiro me prindërit e tij dhe shokët nëpër male. 23-vjeçari ka punuar punë të rastësishme – e fundit ka qenë rregullimi i mobilieve.
“Kam mjaft kohë për t’u rritur”, u ka thënë ai prindërve të tij.
Mbidozë?
Në orën 4 të mëngjesit, Goodwini kishte parë burrin e saj duke nxituar drejt dhomës së pritjes. Ajo kishte nevojë për të tani, më shumë se kurrë më parë.
Karen dhe Brian janë takuar në vitin 1996 kur ai kishte ndaluar për të mbushur karburant në një stacion karburanti, ku ajo ishte duke punuar si arkëtare. Të dy kishin ndier tërheqjen dhe ishin martuar brenda vitit.
Që nga fillimi, Karenit i kishte pëlqyer mënyra se si sillej burri i saj me dy djemtë e saj, nga martesa e kaluar, sikur të ishin të tij. Tash Brian, një burrë i fortë që nuk ka qarë kurrë, ishte duke e pasur të vështirë të mbante lotët.
“Çfarë ndodhi?” ka pyetur ai.
Goodwini i kishte thënë se nuk e dinte. Ajo kishte dëgjuar një oficer të policisë të thoshte se Turneri vdiq nga një mbidozë nga droga.
Prindërit e kishin ditur se Turneri konsumonte marihuanë. Ata gjithashtu e kishin ditur se përdorte Suboxone, një lloj tjetër droge. Por nuk e kishin menduar se këto droga mund të çojnë në mbidozë.
Kjo ishte e pakuptimshme për Goodwinin. Pse e ka thënë policia këtë? Ata kanë marrë informacion nga e dashura e Turnerit se ai nuk ishte nën ndikimin e drogës. Ai ishte rrëzuar papritmas. Si mund të jetë kjo mbidozë?
Hiri i tij
Natën e shërbimit memorial, Goodwini ishte ndier bosh përbrenda. Do t’i duhej kohë e gjatë për të ndier diçka përsëri. Briani ishte kthyer në punë pas një muaji, sepse puna e ndihmonte të tejkalonte pikëllimin.
Kareni ka bërë tatuazh shenjën e gishtave të djalit të saj dhe një orë që shënonte 12:35. Artisti i tatuazheve kishte përzier hirin e Turnerit me bojën. Nëna dhe djali kishin pasur marrëdhënie të veçantë. Sa herë kishte probleme, Turneri kishte shkuar gjithmonë te ajo. Dhe ajo gjithmonë ishte aty për ta ndihmuar. Djali i saj ishte aty për të gjithashtu. Kur ajo ishte diagnostikuar me kancer në vitin 2015 dhe i është dashur të hiqte pjesë të mushkërisë, ai ishte gjithmonë aty për t’ia rikthyer buzëqeshjen asaj.
Tash Goodwini përballet me pyetje ekzistenciale. Pse luftoi aq shumë kancerin, vetëm që t’i vdiste djali para se të vdiste vetë?
Ndërsa kanë kaluar vitet, ajo ka gjetur ngushëllim afër hirit të djalit të saj. Kur ka marrë raportin e autopsisë, aty është shpjeguar se ai ka vdekur nga mbidoza dhe ishte përsëritur versioni i policisë në ngjarje – që oficerët kishin shkuar ta ndihmonin, por ai ishte nën ndikim të madh të drogës për të bashkëpunuar. Ai ka luftuar kundër tyre dhe në fund kjo i ka kushtuar me jetën.
Gjatë asaj kohe, ajo kishte dëgjuar nga policia që ata ishin përpjekur ta ndihmonin Turnerin, por nuk kishin arritur për shkak të drogës dhe zemrës së tij. Ajo kishte dashur dëshpërimisht ta besonte këtë narrativë. Por diçka e kishte ngrënë nga brenda.
Asaj i është kujtuar se djali i saj dukej që ishte duke kaluar konvulsion dhe policia e kishte mbajtur në tokë teksa ai kishte luftuar për të marrë frymë. Por ajo nuk i kishte besuar kujtimet e veta dhe është ndier në luftë me veten.
Dhe kështu ka lënë dyshimet e saj anash. Pse do të gënjente policia? Ajo ka dashur patjetër të besonte se ata kanë bërë të pamundurën për t’i shpëtuar djalin.
E vërteta e hidhur
Më 14 gusht ajo kishte dëgjuar një trokitje në derë. Kur e kishte hapur, kishte parë dy gazetarë nga “Associated Press” të cilët kishin kërkuar të dinin më shumë për vdekjen e djalit të saj. Ata kishin video të cilat familja e tyre nuk i kishte parë kurrë.
Nuk ka qenë e lehtë për Goodwinin ta pranonte ofertën. Ajo e kishte ditur se do të ishte e vështirë ta rikujtonte natën më të keqe të jetës së saj.
Pas një jave në agoni, ajo ishte ulur dhe e kishte shikuar laptopin para se të niste të shikonte videon e kamerave trupore të policisë. Kamerat e oficerëve Eric Keller dhe Kevin Frederick kishin kapur të gjitha bisedat mes policëve, ndihmësmjekëve dhe Turnerit. Nga momenti që policia kishte arritur, ata e kishin trajtuar Turnerin si të dyshuar që po i rezistonte arrestimit, e jo si pacient në nevojë.
Goodwini e ka shikuar e tronditur. Ndihmësmjekët ishin përpjekur ta ngrinin atë në këmbë. Ai kishte mundur të ngrihej në gjunjë, por pas një hapi ishte rrëzuar përsëri. Oficerët janë dëgjuar duke bërtitur se ai ishte duke i rezistuar arrestimit, duke gjuajtur drejt stafit dhe duke mos iu bindur komandave. Nga videoja është dukur se Turneri ishte duke pasur konvulsion, sepse ishte duke u dridhur e jo duke e goditur stafin.
Pastaj është shfaqur momenti i kërcënimit nga polici. Edhe pse ndihmësmjekët i kishin kërkuar të priste 10 sekonda, polici, Keller, e kishte elektrizuar atë.
“Nuk do e fitosh këtë luftë”, kishte thënë një ndihmësmjek.
“Të fitonte çfarë?” kishte menduar ajo. “Kjo nuk është garë, ai nuk është duke rezistuar. Ai është duke vdekur!”
Dhuna nuk kishte përfunduar aty. Ata e kishinnë marrë Turnerin me fytyrë poshtë dhe e kishin lidhur. Teksa atij i kishte rrjedhur gjak nga goja, ata i kishin vendosur një maskë që e parandalon të arrestuarin të kafshojë ose të pështyjë.
Kur e kanë hipur në ambulancë, një oficer i ishte ulur atij përsipër, edhe pse ishte i kthyer në bark. Nuk kishin nxituar për ta dërguar në spital, në vend të kësaj kanë gjetur kohën për të folur për “luftën” që sapo e kishin fituar.
Vetëm atëherë një ndihmësmjek e kishte parë se Turneri nuk ishte duke marrë frymë. Menjëherë e kishin liruar, e kishin rrotulluar në shpinë dhe kishin filluar frymëmarrjen artificiale. Pas 10 minutave një ndihmësmjek tjetër kishte ardhur, i çuditur.
“Nuk jeni duke incizuar apo jo?” ka pyetur ai. Oficeri pastaj ka ndaluar incizimin. Ekrani i Goodwinit papritmas ishte bërë i zi.
Gënjeshtra
Familja Goodwin ishte e tërbuar nga kjo. Videoja ka ngritur pyetje shqetësuese. Kështu që ata kanë filluar të hulumtonin dokumentet – raportin e policisë dhe autopsinë - në përpjekje për të gjetur përgjigje.
Shumë shpejt ishin bindur se zbatuesit e ligjit të Bristolit kishin gënjyer për çfarë kishte ndodhur.
Policia nuk kishte përfshirë deklaratat e Karenit dhe Dustinit, të cilët ishin në apartament gjatë ngjarjes. Ngjarjet që policia kishte përshkruar ishin larg të vërtetës. Ata e kishin kthyer Turnerin në batakçi.
Në një raport nga Greg Browni, thuhej se ndihmësmjeku i kishte thënë policisë që i riu ishte përpjekur të merrte një thikë nga banaku i kuzhinës.
“Gënjeshtër e ndyrë”, ka menduar Goodwini. Ajo kishte parë ndihmësmjekët të pastronin banakun para ardhjes së policisë.
Keller kishte thënë se e kishte elektrizuar Turnerin për ta ndaluar së luftuari me stafin mjekësor.
Browni kishte shkruar se Turneri ishte duke luftuar me mjekët kur ai arriti në apartament. Goodwini ishte në vendngjarje dhe nuk pa një gjë të tillë, madje as videot nuk e tregonin këtë anë të historisë. Sipas Brownit, Turneri kishte forcë të pabesueshme për shkak të narkotikëve.
Prokurori i Qarkut Sullivan, Barry Staubus, i kishte kërkuar Byrosë së Hetimit të Tenesisë (TBI) ta shqyrtonte vdekjen e Turnerit. Hetuesi ka folur me dëshmitarët dhe ka mbledhur detaje të tjera, ka thënë Staubusi. Por pasi ka shqyrtuar raportin e TBI-së dhe pamjet e kamerës së trupit, Staubusi ka arritur në përfundimin se Turneri ka vdekur nga një mbidozë droge.
Goodwinët kanë vënë në dukje se hetuesit e shtetit nuk kanë kontaktuar kurrë dy nga dëshmitarët më të rëndësishëm: Karen Goodwinin dhe Dustinin. Hetuesi i shtetit i kishte dërguar mesazhe të dashurës së Turnerit dhe një fqinjit në vendngjarje, duke i pyetur nëse do të flisnin rreth ngjarjes. Ata kanë thënë po. Nuk kanë dëgjuar më kurrë nga hetuesi.
Goodwinët ishin gjithashtu të hutuar nga raporti i autopsisë. Eugene Scheuerman, ekzaminues mjekësor, ka deklaruar vdekjen e Turnerit si aksident. Ai ka vdekur nga “toksiciteti i shumëfishtë i drogës”, të lidhura me përdorimin e Suboxonit dhe kimikatit psikoaktiv të marijuanës.
Një analizë ka gjetur “nivel vdekjeprurës” të Suboxonit në sistemin e Turnerit. Scheuermani ka shtuar se “kardiomiopatia e zgjeruar” - një gjendje që ka ndikuar në aftësinë e zemrës për të pompuar mjaftueshëm gjak të pasur me oksigjen - ishte një faktor kontribuues në vdekjen e Turnerit. Raporti i autopsisë ka përsëritur gjithashtu versionin e policisë.
Ai nuk ka shkruar se oficerët e policisë e kishin kthyer Turnerin me fytyrë poshtë dhe aplikimin e peshës së tyre trupore, taktikë që është kritikuar nga ekspertët meqë kufizon frymëmarrjen.
Goodwinët kanë pyetur veten nëse ekzaminuesi mjekësor kishte marrë mundimin të shikonte videot e policisë. Scheuermani tashmë ka vdekur.
Tre ekspertë nuk kanë rënë dakord me gjetjet e autopsisë: kanë thënë se Turneri nuk kishte vdekur nga mbidoza e drogës. Në vend të kësaj, ata kanë thënë se policia e Bristolit ka bërë gabime kritike që kontribuuan në vdekjen e Turnerit, duke përfshirë vendosjen e tij me fytyrë poshtë, në një mënyrë që mund t’i kufizonte frymëmarrjen.
“Ata nuk i dinin rreziqet e ndalimit të gjatë dhe presionit në shpinën e tij”, ka thënë Jack Ryan, ish-oficer policie.
Përgjithmonë mesnatë
Karen dhe Brian Goodwin kanë thënë se janë akoma duke u ballafaquar me të vërtetën. Ata kishin fajësuar Turnerin për vdekjen e tij dhe tani ndihen shumë fajtor nga ky fakt. Ata tani janë të bindur se ai nuk kishte vdekur nga drogat – ai ishte vrarë nga forcat policore.
Çfarë u dhemb më shumë është fakti se shumë njerëz në qytet besojnë se Turneri ka vdekur nga mbidoza. Prindërit akoma dëgjojnë pëshpëritjet e njerëzve në dyqane ose restorante: Djali i tyre do të ishte akoma gjallë nëse nuk do të ishte përdorues i drogës.
“Kjo është stigma me të cilën duhet të jetojmë, ‘Djali yt ishte budalla’. Neve na u ka dashur të jetojmë me këtë fakt”, ka thënë Briani. “Unë dua që të gjithë të dinë të vërtetën”.
Kareni shqetësohet se asaj është duke i mbaruar koha. Shëndeti i saj, i brishtë nga lufta me kancerin, është duke u dobësuar. Ajo është e gëzuar që ka mësuar të vërtetën, por frikësohet që nuk do të jetojë aq gjatë për të bërë diçka.
“Djali im nuk ia ka bërë këtë vetes”, ka thënë Karen, duke mbajtur lotët. “Ai nuk duhej të vdiste... Vdekja e tij vrau një pjesë tonën”.
Ajo u kthye dhe shikoi orën në tavolinë. Edhe me këtë informacion të ri, akrepat e orës mbeten të fiksuar, të palëvizshëm, të ngecur përgjithmonë 35 minuta pas mesnate.
Përgatiti: Latra Gashi